Policia në Gjilan, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, ka ndërmarrë një veprim të ri duke aktivizuar Njësitin e Biçiklistëve në zonat urbane me qarkullim të dendur.
Ky njësi do të angazhohet në identifikimin dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të komunikacionit, me theks të veçantë në parandalimin e aksidenteve, kontrollimin e parkimeve të jashtëligjshme dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Sipas njoftimit të policisë, ky veprim është pjesë e strategjisë parandaluese për rritjen e prezencës policore në terren dhe përmirësimin e sigurisë dhe disiplinës në trafik, veçanërisht gjatë sezonit të verës kur qytetet përballen me fluks të shtuar të lëvizjes.
Gjatë kësaj jave, Policia Rajonale e Gjilanit ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh që kanë rezultuar me shqiptimin e 1,763 gjobave për kundërvajtje në trafik. Janë hetuar gjithsej 26 aksidente trafiku, prej të cilave 15 me dëme materiale dhe 11 me të lënduar.
Gjithashtu, janë shqiptuar 69 gjoba dhe 14 motoçikleta janë përjashtuar nga qarkullimi për shkak të parregullsive të ndryshme.
Policia apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë, në funksion të sigurisë së përbashkët.