KPF miraton raportin e kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor

Gjilani

KPF miraton raportin e kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor

Më: 19 korrik 2016 Në ora: 17:22
Valentina B. Rexhepi, kryesuese e KK ne Gjilan

Komiteti për Politikë dhe Financa, të martën, ka miratuar raportin e punës së kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2016, raportin financiar për të njëjtën periudhë, pastaj nismën dhe vendimin për autorizimin e kryetarit të Komunës për bashkëpunim me Komunën e Novobërdës në fushën e infrastrukturës rrugore, ndriçim publik, kanalizime dhe ujësjellës, bashkë me marrëveshjen për bashkëpunim, nismën dhe vendimin për autorizimin e kryetarit të Komunës për  bashkëpunim me Komunën Samsun të Turqisë, në fushën administrative dhe teknike dhe të gjitha këto i ka rekomanduar për Kuvend Komunal, që do të mbahet më 28 korrik.

Komiteti i ka shtyrë për shtator Draft-planin aksional të veprimit për integrimin e komunitetit RAE në Komunën e Gjilanit, për periudhën 2016-2018, si dhe kërkesën e Njësisë për Kulturë, Rini e Sport për ndarjen e një shume prej 70 mijë euro, për teatrin e qytetit.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se draft-plani shtyhet për shkak se mungon sponzorizuesi i këtij materiali, ndërsa kërkesa e Kulturës, për shkak se është e nevojshme që të shikohen paraprakisht mundësitë buxhetore të Komunës. Ndërkaq sa u përket kërkesave të opozitës, ajo ka thënë se do të diskutohen në seancën e Kuvendit Komunal, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunës dhe ai do të japë sqarime për të gjitha interesimet.

Bujar Nevzati (PDK), në emër të grupit të tij politik, ka kërkuar listën e punëtorëve të pranuar në konkursin e fundit dhe të atyre që punojnë me kontrata në shërbimin civil si dhe ka kërkuar informacione për gjendjen në kompaninë “Ecohigjiena”, e cila prej dje, siç ka thënë Nevazti, është në grevë. Këto kërkesa janë përkrahur edhe nga shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Nevad Isufi, i cili ka thënë se për shkak të grevës së punëtorëve në “Ecohigjienë”, sot kontejnerët u kanë mbetur para dyerve. Njëherësh, ai ka thënë se është kundër futjes në rend dite të kërkesave jashtë procedurave, siç është kjo e Kulturës.

Avdyl Aliu (LDK), shef i grupit, ka thënë se në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal do të trajtohen të gjitha këto çështje. Sa i përket kërkesës së Njësisë për Kulturë, ai ka thënë se nuk duhet votuar diçka, pa e ditur paraprakisht nëse ekzistojnë mundësitë financiare.

Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, ka sqaruar se mundësitë ligjore nuk lejojnë ndarjen e kësaj shume prej 70 mijë euro, meqë edhe rishikimi i buxhetit është bërë tashmë. Kultura duhet të punojë me mjetet që i ka në dispozicion për këtë vit, ka thënë Maliqi.

Bashkim Nexhipi, koordinator i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë se pagat mund t`i mbulojnë disi me buxhetin që kanë, por rrezikohet realizimi i tri shfaqjeve të planifikuara për sivjet.            

 Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se ne jemi gjithmonë për zgjidhje, por në këtë rast, kërkesa e Kulturës duhet të shtyhet për shtator, pasi që ka ardhur me vonesë dhe drejtori i Financave i sqaroi mundësitë buxhetore. Pikat tjera, KPF i ka miratuar pa diskutim.T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat