Nuk e lejon asfaltimin e rrugës para dyerve të oborrit

Gjilani

Nuk e lejon asfaltimin e rrugës para dyerve të oborrit

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 08:53
Rruga

Shaban Kqiku nga fshati Livoq i Epërm i Gjilanit nuk ka lejuar asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit e cila kalon edhe para shtëpisë së tij. Shkak për këtë pengesë, sipas Kqikut është niveli i rrugës që pritet të rritet pas asfaltimit.

Shaban Kqiku nga fshati Livoq i Epërm i Gjilanit nuk ka lejuar asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit e cila kalon edhe para shtëpisë së tij.

Shkak për këtë pengesë, sipas Kqikut është niveli i rrugës që pritet të rritet pas asfaltimit.

Rasti është raportuar në KALLXO.com.

Asfaltimi i kësaj rruge ka përfunduar para një kohë, mirëpo para shtëpisë së Shaban Kqikut ka mbetur ende zhavorri. Ai thotë se sikur ta lejonte që të shtrohehj asfalti para derës së tij, rritja e nivelit të rrugës do t’ia pamundësonte kyçjen në oborrin e shtëpisë.

“Në pranverë kur filluan punimet masovikisht, u pa që u ngritë rruga shumë lartë, prapë filluam me ankesa, me u konsultu me zyrtarët e Komunës, krejt e pranonin që është keq, niveli i lartë, ngritet niveli i rrugës shumë lartë, diku rreth 1 metër para dyerve edhe thanë që do e rregullojmë”, thotë Shaban Kqiku për KALLXO.com.

Për mosrregullimin e rrugës Kqiku drejton gishtin te, siç i thotë ai, shefat e mëdhenj në komunën e Gjilanit.

“Kur e pyetshim mbikëqyrësin e Komunës, zyrtarët e tjerë, punëkryesin se për çka s’po bëhet, thoshin nuk po lejojnë shefat e mëdhenj, se s’guxon me ndryshu projekti”, thotë ai.

E kjo e ka detyruar Shaban Kqikun që t’i drejtohet edhe Gjykatës së Gjilanit pasi që, sipas tij, një pjesë e rrugës është edhe pronën e tij. Me vendim të Gjykatës, punimet janë ndërprerë deri sa të gjendet një zgjidhje.

Mirëpo drejtori i shërbimeve publikë të Komunës së Gjilanit, Naser Korça tha për KALLXO.com se të gjithë banorët më herët janë deklaruar se nuk do t’i pengojnë punimet.

Sipas Korçës, Shaban Kqikut mund t’i rregullohet qasja në oborr.

“Qasja mund të krijohet edhe po të asfaltohet në atë mënyrë rruga. Ne i kemi ofruar zotit Shaban që t’i hapim edhe dyer të tjera ose hyrje tjetër në oborrin e shtëpisë ku nuk do të pengohej fare”, tha Korça për KALLXO.com.

Shaban Kqiku, i cili momentalisht është i papunë thotë se vetëm 3 ditë pas konfliktit për çështjen e rrugës, ai është pushuar nga puna, pasi siç thotë kompania ku ky ka punuar ka bashkëpunim me komunën.

Mirëpo për drejtorin Korça kjo nuk qëndron.

“Absolutisht nuk qëndron. Absolutisht jo. As nuk e kam njoftë, as nuk di ku punon, as që kam ide çka punon ai njeri. Ai mund të na akuzojë çfarëdo, por nuk qëndron hiç, as nga shefat, unë nuk e di as kë e ka quajt ai me shefa, por mund të them me përgjegjësi të plotë se nga Kryetari, nënkryetari dhe unë që jam marrë direkt me këtë problem”, u shpreh Korça.

E kjo pjesë e pashtruar e rrugës po i sjellë edhe probleme tjera Shaban Kqikut. Ai thotë se njerëzit që ecin me veturë në këtë rrugë, shpesh i bien sirenës e shajnë, për shkak të gjendjes së keqe të rrugës vetëm para shtëpisë së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat