PDK në Gjilan: Punët e hajrit po i ngjajnë punëve të hajnit

Gjilani

PDK në Gjilan: Punët e hajrit po i ngjajnë punëve të hajnit

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 10:15
Rruga për Bujanovc

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, ka reaguar ndaj projekteve që po realizohen në Gjilan, duke thënë se asfaltimi i rrugëve nëpër qytet dhe fshatra po ndodh me cilësi të dobët. Ata kanë përmendur rrugën e Bujanocit, ku sipas tyre, ende pa përfunduar asfaltimi, menjëherë ka filluar prishja e saj, ani pse po shpenzohen mbi 900 mijë euro për këtë projekt.

PDK nëpërmjet një komunikate thotë se projektet që po realizohen nga qeverisja komunale e Gjilanit, janë investime të kota, me cilësi të dobët, kosto të lartë dhe humbje të mëdha financiare.

Sipas tyre, komisionet profesionale kanë dështuar plotësisht në mbikëqyrjen e implementimit të projekteve kapitale, sipas kontratave me operatorët ekonomik dhe si pasojë po shkojnë krejt në dëm, qindra mijëra euro nga buxheti komunal dhe nga taksapaguesit Gjilanas. 

Duke përmendur rrugën e Bujanovcit, PDK thotë se ky projekt ka filluar më 3 nëntor 2015 dhe sipas kontratës me operatorin ekonomik, kjo rrugë ka qenë e planifikuar të përfundojë brenda 30 ditë pune, por ka kaluar një vit dhe qytetarët e Gjilanit po përballen me probleme të mëdha gjatë qarkullimit, duke i shkaktuar dëme të përditshme në automjetet e tyre, si pasojë e gjendjes së pakalueshme në njërën nga rrugët kryesore të qytetit të Gjilanit. “Për kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri edhe ky projekt me këtë cilësi mund të quhet si punë e hajrit, por për qytetarët e komunës këto projekte që po realizohen janë punë për hajgare. Me një fjalë, këto punët e hajrit po i ngjajnë punëve të hajnit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat