Në Viti me aktivitete të larmishme po shënohet Festa e Flamurit kombëtar

Gjilani

Në Viti me aktivitete të larmishme po shënohet Festa e Flamurit kombëtar

Nga: Aziz Zuka Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 14:21
Pamje nga shenimi i Dites së flamurit kombëtarë në Viti

Dita e Flamurit kombëtarë 28 Nëntori  dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, në Viti po zhvillohen aktivitetet të larmishme. Me rastin e kësaj feste Institucionet komunale kanë mbajtur një seancë solemne ku merrnin pjesë pos këshilltarëve komunal edhe përfaqësues të shoqatës së veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të policisë, gjykatës, bashkësive fetare dhe qytetarë të tjerë.

Kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, duke folur për rëndësinë e 28 Nëntorit Ditës së Flamurit, ka thënë se kjo ditë ja vlen të festohet sepse për të ardhur deri këtu është dashur të kalohet përmes sakrificave të shumta. “Për këtë ditë që ne të festojmë të lirë, ky flamur është larë me gjak të bijve dhe bijave më të mirë të kombit”, ka thënë ai. Kurse në fjalën e tij, kryetari i komunës Sokol Haliti,  tha se  kjo është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të rëndësishmet të rilindjes sonë kombëtare, në gjithë historinë tonë.

“Liria e arritur, është vlera jonë dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë tonë, e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash. Institucionet qendrore të vendit, por edhe ne si Qeveri lokale, e kemi obligim që të nxisin zhvillimin ekonomik të vendit, të sigurojnë mirëqenie të qytetarëve dhe të jemi të përgjegjshëm që të forcojmë shtetin dhe ta ruajmë unitetin”, ka thënë Haliti. Në emër të shoqatës së familjeve të dëshmorëve dhe organizatave të dala nga lufta, ka folur Qemajl Rexhepi i cili mes tjerash ka thënë se festa e 28 nëntorit duhet të festohet anembanë ku ka shqiptar, sepse për këtë ditë që të festojmë lirshëm, kanë rënë edhe djemtë tanë. Pas kësaj seance, janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Viti.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat