KPF miraton raportin financiar për vitin 2016

Gjilani

KPF miraton raportin financiar për vitin 2016

Më: 21 mars 2017 Në ora: 12:05
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Komiteti për Politikë e Financa miratoi të martën raportin financiar për periudhën janar-dhjetor 2016, propozim-vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pa shpenzuara të viteve 2015 e 2016, në vitin fiskal 2017.

Po ashtu në këtë takim, i cili u udhëheq nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit,  u miratua edhe propozim-vendimin për rritjen e buxhetit nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara në vitin 2016, Strategjia për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-21, propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore në Teatrin e Gjilanit si dhe propozim-vendimin për subvencionim të aktiviteteve të Qendrës për kujdesin ditor “Pema” në Gjilan.

Komuna e Gjilanit vitin e kaluar ka realizuar një buxhet prej 22.954.774 euro, ose mbi 1.6 milion më tepër se buxheti fillestar i planifikuar. Buxheti i planifikuar, është shpenzuar më pak për 1.158.637 euro. 

Buxhetit të këtij viti do t`i shtohet edhe shuma prej 227.089 euro, mjete këto nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara për vitin 2016.

KPF ka shqyrtuar dhe miratuar edhe strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-21, që parasheh realizimin e më se 87 projekteve të ndryshme gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare.

Po ashtu, KPF ka miratuar edhe propozimet për ndarjen e mjeteve për Teatrin, për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore, në vlerë prej 22.416 euro, përkatësisht për Qendrën ‘Pema’, e cila merret me kujdesin ditor të fëmijëve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat