Haziri: Heronjtë i kthyem kah lindja e lirisë

Gjilani

Haziri: Heronjtë i kthyem kah lindja e lirisë

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 13:40
Komuna e Gjilanit

Me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit, Komuna e Gjilanit sot ka zhvendosur shtatoret e heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha nga prona private në atë publike.

Të pranishëm në ngjarje ishin kryetari i komunës Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, familjet e dy heronjve, përfaqësues nga jeta politike e kulturore dhe qytetarë të shumtë.

Bashkëveprimtarja e Nuhi Berishës, Shukrie Gashi është shprehur e zhgënjyer me trajtimin që u është bërë familjarëve të heronjve, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala.

Gashi këtë e tha për KosovaPress gjatë ceremonisë së zhvendosjes së lapidarit të heronjve Berisha dhe Mala me rastin e ditës së çlirimit të Gjilanit.

Gashi: Familjarët janë trajtuar pak

“Se si janë trajtuar familjarët, mund të them pak, sepse të gjitha qeveritë e pasluftës asnjëherë nuk e trajtuan në mënyrë meritore familjarët e heronjve dhe as vetë heronjtë”, tha Gashi.

Bashkëveprimtarja Gashi tha se vendosja e shtatores së dëshmorëve Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në këtë park është nderim për heronjtë që ranë dëshmorë jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por për të gjitha trojet shqiptare.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, tha se i gjunjëzohen heronjve Mala dhe Berisha për rezistencën e tyre nëpër  burgje.

Haziri: Dëshmuan se si luftohet padrejtësia

 “Dy njerëz që u kryengritën politikisht, dy njerëz që u kryengritën ushtarakisht dhe dy njerëz që dëshmuan se si duhet të luftohet padrejtësia. Rruga e tyre nuk vonoi shumë por solli lirinë e sotshme. Ne i gjunjëzohemi Rexhep Malës që me rezistencën e tij nëpër burgje dhe për rezistencën e tij ushtarake për të mos u dorëzuar...i gjunjëzohemi Nuhi Berishës për rezistencën e tij”, tha ai.

Më tej Haziri gjatë kësaj ceremonie tha se Gjilani është nderuar se ka kthyer këta dy dëshmorë me pamje kah lindja e lirisë.

Haziri: Heronjtë na bëjnë roje kudo që jemi

“Nga këto këta na bëjnë roje jo vetëm ne, por të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Çdo ditë e shohin lindjen e lirisë, tokën e tyre për çka derdhen gjak. Çdo ditë dhe çdo mëngjes këta e shohin dhe e ruajnë lirinë tonë që po e ndërtojmë çdo ditë“, tha Haziri.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi i cili përgëzoi udhëheqësit e komunës ë Gjilanit për këtë veprim. Ai tha se këta heronj na mësuan se si duhet të ecim rrugës së lirisë dhe si thyhen shtigjet e mbyllura.

Isufi: Jemi krenarë për dëshmorët

“Tani kur jemi në ditët e çlirimit ne jemi krenar, sepse luftuam për lirinë tonë, luftuam për gjithë atë që ishte ideal i brezave, ishte qëllim i kohës  dhe sidomos në shërbim të fëmijëve tanë që do të rriten të lirë. Është obligim i ynë jo vetëm që t’i nderojmë, por edhe të lartësojmë veprën e tyre duke qenë të bindur se shqiptarët do të bashkohen dhe do të integrohen në ato që janë integrime të reja në familjen evropiane”, tha Isufi.

Për nder të Ditës së çlirimit të Gjilanit, Lutfi Haziri së bashku me përfaqësues të kabinetit të tij ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve të këtij qyteti. Kryetari i kësaj komune tha se gjatë ditës së sotme do të organizohet ditë e hapur për qytetarët në burgun e Gjilanit, për të vazhduar me shpalljen e më të dalluarve të vitit 2016-2017 në sektorin e rinisë, sportit, e bujqësisë.

Dita e çlirimit do të shënohet edhe me një varg aktivitetesh të cilat do të mbahen në sheshin e Gjilanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat