Është mbajtur sot seanca e shtatë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë

Gjilani

Është mbajtur sot seanca e shtatë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë

Nga: Aziz Zuka Më: 27 korrik 2017 Në ora: 15:48
Pamje nga Seanca e VII e KK në Viti

Seanca e shtatë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë, sot kishte një agjendë më të ngjeshur se zakonisht, pasi që gjatë kësaj mbledhje janë shqyrtuar 11 pika të rendit të ditës. Si zakonisht në fillim janë parashtruar një varg pyetjesh nga këshilltarët komunal adresuar udhëheqjes komunale, konkretisht kryetarit të komunës Sokol Haliti, që kishin të bënin me projektet e ndryshme që po realizohen në komunën e Vitisë. Në rend dite, ishte edhe raporti i punës së kryetarit Haliti por edhe Organeve Komunale për muajin Janar-Qershor 2017.

 “Gjatë qeverisjes së këtij mandate jemi ballafaquar me sfida të ndryshme, por megjithatë arritëm që të realizojmë shumë projekte infrastrukturore. Kështu ky trend I punëve ka vazhduar edhe gjatë këtij gjashtë mujori që e lamë pas, projekte këto që janë realizuar në bazë të vizionit paraprak dhe bazuar në nevojat e paraqitura” ka thënë Haliti. Ai më tej ka paraqitur listën e projekteve që janë finalizuar dhe janë duke u realizuar gjatë periudhës që po raportonte, kurse ka falënderuar për bashkëpunim shumë të mirë OJQ-të, mediat, institucionet tjera të rendit si dhe donatorët e qytetarët që kanë kontribuar e po kontribuojnë.

Haliti ka përmendur investimet që janë bërë në bujqësi, arsim, shëndetësi, administratë etj dhe ka ri theksuar se do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar për të gjitha çështjet që janë në interes të përgjithshëm. Në rend dite kanë qenë edhe pasqyrat Financiare të Buxhetit Komunal për periudhën Janar-Qershor 2017 që I prezantoi drejtori për Ekonomi e Financa Ibrahim Rama, i cili ka bërë të ditur se duke u bazuar në këto pasqyra, shkalla e inkasimit të hyrave komunale për këtë periudhë është në vlerë prej 367.489,28€ dhe krahasuar me inkasimin e periudhës së njëjtë të vitit të shkuar është shënuar një rritje për 6.04%. Gjithmonë duke u bazuar në këtë dokument ekzekutimi i buxhetit për gjashtë mujorin e këtij vitit është 75,29%, ka thënë ai. Përndryshe gjatë këtij takimi pas shqyrtimit të pikave të parapara me shumicë votash janë votuar propozim për shqyrtimin dhe miratimin të propozim vendimit për shpalljen zonë me interes të përgjithshëm të parcelës Kadastrale me nr. 1473-10 në zonën kadastrale në Sllatinë, propozimi për shqyrtimin dhe miratimin e vendimit për shpalljen qytetarë nderi e Komunës së Vitisë ish Presidenten e Konfederatës së Zvicrës Michelin Calmy-Rey, propozimi për shqyrtimin e propozim vendimit për caktimin e lokacionit për emërimin e sheshit Michelin Calmy-Rey, propozim për shqyrtimin dhe miratimin e rregullore për tatimin mbi pronën e paluajtshme, propozim vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve sportive dhe shërbimeve tjera të Klubeve Futbollistike që garojnë në super ligë dhe ligën e pare, raport i Prokurimit dhe kontratave të nënshkruara për gjashtë mujorin 2017, Informatë lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat Financiare të Komunës së Vitisë për vitin e përfunduar me 31.12.2016, si dhe një informatë për përfundimin e vitit shkollor 2016/17.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat