Gjilani u pasurua me një shtëpi të re të dijes e diturisë... - Bota Sot
Gjilani u pasurua me një shtëpi të re të dijes e diturisë...

Gjilani

Gjilani u pasurua me një shtëpi të re të dijes e diturisë...

Nga: Tefik Selimi Më: 20 shtator 2017 Në ora: 19:13
Moment nga përurimi i bibliotekës së qytetit

Aty afër Shtëpisë së Mallrave, më herët është quajtur Lama e Miellit, që gjendet në qendër të Gjilanit, është përuruar të martën objeti i ri i Bibliotekës së re Regjionale të këtij qyteti, një objekt modern dhe shumë i rëndësishëm për kulturën dhe dijen, në përgjithësi. Në fakt, ky vend, ku tash ngre shtat Biblioteka Regjionale “Fan S. Noli” e qytetit, ishte më parë Shtëpia e APJ-së, një vend i një regjimi fashist, i cili “krijonte” skenarë për zhdukjen e popullatës shqiptare nga trojet e veta stërgjyshore.

Mandej, ky vend ka një histori, sa krenare, aq të dhimbshme, për faktin se, mu te Lama e Miellit, gjendet tash Shtëpia e Mallrave, në vitin 1951, janë ekspozuar disa orë trupat e të vrarëve të grupit të Hasan Alisë të vrarë nga UDB-a serbe. Tash ky vend, me këto ngjarje tragjike dhe të dhimbshme, ka ndryshuar krejtësisht pamjen dhe vendin, sepse, aty sot ngre shtat Oda e dijes dhe e diturisë, Biblioteka Regjionale“Fan S. Noli” e qytetit.

Pra,  Komuna e Gjilanit ka përuruar të martën objektin e Bibliotekës Regjionale “Fan S. Noli”, i cili është ndërtuar sipas standardeve evropiane me financim të Komisionit Evropian në vlerë prej 2.3 milionë euro. Në këtë festë të madhe të librit e të dijes, kanë marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Evropiane në kuadër të Zyrës së BE-së në Kosovë, sikurse edhe përfaqësues të institucioneve tjera.

Fillmisht, z. Lutfi Haziri, kryetar i Komuës, ka falënderuar Komisionin Evropian për financimin e objektit të Bibliotekës, por ka folur edhe për problemet që e ka gjetur këtë projekt me të marrë mandatin e kryetarit. Ai ka deklaruar se ky objekt, i cili ka mbi 3200 metra katrorë, do të jetë një mundësi e madhe për dashamirët e librit, nxënësit dhe studentët.

“Sot Gjilani ka festë të madhe. Është një gëzim i papërshkruar. Pse jo? Kjo është një ngjarje e madhe për  qytetarët e Anamoravës, të cilët, së shpejti do të kenë rast të vijnë në lokalet e këtij tempulli të dijes, i cili do ta  gëzojë lexuesin dhe adhuruesin e librit në përgjithësi. Pse jo? Kjo është një vepër e rëndësishme për të rinjtë, të cilët do të kenë kushte dhe ambient të këndshëm  për të fituar dije e dituri. Nga tash, objekti i Bibliotekës së vjetër do t’i mbetet Teatrit të qytetit. Shfrytëzoj rastin që ky tempull i dijes të na afrojë e të na plotësojë nevojat e të rinjve, të cilët kanë nevojë më shumë se të gjithtë të tjerët për dije e dituri”.

Ndërsa, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Evropiane në kuadër të Zyrës së BE-së në Kosovë, ka deklaruar se ndihet i nderuar që po e përuron këtë objekt. Ai tha se, jemi në Kosovë që ta përmirësojmë gjendjen në Kulturë, Shëndetësi, Ekonomi e  fusha tjera, sepse nga këto dije, të rinjtë do të përfitojnë njohuri të shumta e të gjera ku do të përparojnë. “Pra, në librat, të rinjtë e këtij lokaliteeti do të përparojnë dhe do ta pushtojnë botën me dije”.

Siç dihet, Komisioni Evropian, pos ndërtimit të bibliotekës në fjalë, ka mbështetur Gjilanin edhe në ndërtimin e parkut në lagjen “Dardania” dhe programin për bashkëpunim ndërkufitar me Komunën e Çairit, ku kanë përfituar zejtarët, përderisa KE është financues edhe i hapjes së vendkalimit ndërkufitar Stanqiç-Bellanoc.

Qazim Azizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Bibliotekës në fjalë tha se, sot, për mua është një ngjarje e veçantë, sepse, po e përurojmë një tempull të dijes, i cili na ka munguar gjer më sot. “Nga ky gëzim, sikur edhe fjalët më janë pakësuar. Po e vërej një ndryshim të madh të ndërtimit të këtij objekti, i cili, së shpejti do të hyjë në përdorim lexuesve gjilanas dhe lokaliteteve të tjera të kësaj ane. Urime  dhe e gëzofshim këtë vepër kapitale dhe shumë të rëndësishme”.

Ndërsa, Kushtrim Kadriu, punëtor i Bibliotekës në fjalë,  tha se, sot Gjilani shënon një ngjarje të rrallë e të rëndësishme. “Ky objekt i dijes, është një vepër kapitale për lexuesit tanë, e cila do ta hijeshojë qytetin dhe njerëzit e saj. Nga sot, Gjilani ka marrë pamjen pak më ndryshe, sepse, mu në qendër të qytetit, lexuesi dhe  adhuruesit e librit nuk do të hezitojnë të vijnë e ta shfrytëzojnë dijen e librit, shokut më të ngusht të njeriut”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat