Haziri: LDK do të triumfojë në formë plebishitare në krejt Kosovën - Bota Sot
Haziri: LDK do të triumfojë në formë plebishitare në krejt Kosovën

Gjilani

Haziri: LDK do të triumfojë në formë plebishitare në krejt Kosovën

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 18:25
Lutfi Haziri

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë sot në hapje të fushatës në këtë qytet, se LDK me punën e saj ka dëshmuar se di të qeverisë me komunën përmes realizimit të projekteve të shumta.

Ai ka përcjellë porosi për partitë tjera duke thënë se ato nuk kanë vend në Gjilan, pasi aty LDK di të qeverisë më së miri LDK. 

“Me këtë masovitet, ju e dëshmuat se për të tjerët nuk ka vend në Gjilan. Ma mirë me i thanë bacit rri në Prishtinë e leje rrotacionin atje sepse gjilanasit nuk lejojnë të mashtrohen”, tha ai.

Haziri tha se gjilanasit nuk e lejojnë krimin, korrupsionin e nepotizmin. Duke folur për punën që e ka bërë për katër vite në të gjitha resoret,  Haziri theksoi se është kënaqësi të shkosh në çdo fshat e vendbanim të Gjilanit për t’i parë punët e mira. 

“Ne e ndryshuam “Lagjen e Vishnjeve” me investime në infrastrukturë, e i ndryshuam lagjet e fshatrat tjerë. Sot, familja gjilanase është forcuar me subvencionet që i kemi dhënë për bujqësinë. Mësuesit sot kanë kushte më të mira për punë dhe nxënësit e Gjilanit po shkëlqejnë në gara kombëtare e ndërkombëtare. E kemi rritur numrin e mjekëve dhe kemi investuar jashtëzakonisht shumë në shëndetësinë primare. 45 familje i kemi bërë me kulm mbi kokë. Kanë nevojë 20 familje për t’i bërë me shtëpi dhe do t’i bëjmë”, ka thënë Haziri para simpatizantëve.   

Duke folur për investime e mëdha në të ardhmen, kreu i Gjilanit theksoi se kanë mobilizuar miliona euro për përfundimin e kanalizimeve, për të shtuar se gjatë mandatit të ri do të ndërtohen edhe dy hyrje-daljet e qytetit, çerdhe të reja për fëmijë, sikur edhe projekti i shekullit për Gjilanin, autostrada Gjilan-Prishtinë. 

“Gjilani për Autostradën dhe projektet tjera madhore i ka mobilizuar financat. Ose do të realizohen ose do ta bllokojmë qeverinë në Llabjan”, tha ai. 

Për listën e LDK’së për Asamble Komunale, i pari i LDK’së në Gjilan tha se ka harmoni të gjenratave, grupmoshave, harmoni të përfaqësimit. 

“Tradita e lidhjes sonë për Gjilanin dhe Kosovën rrënjët i ka në Lidhjen e Prizrenit, që garanton luftë kundër çdo lloj krimi, korrupsioni e nepotizmi. Lidhja e Ibrahim Rugovës nuk shuhet kurrë. Me jemi njerëz me besim në Zot, familje e atdhe, do të dalë faqebardhë më 22 tetor”, ka thënë Haziri. 

Tubimin e kanë përshëndetur edhe Lirije kajtazi, Fatmir Rexhepi dhe Faton Bislimi, të cilët theksuan se fitorja e kryetarit Haziri dhe e LDK-së do të jetë madhështore më 22 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat