Kurti: Qeverisjet e mëparshme në Gjilan e kanë trashur pushtetin dhe e kanë rrudhur komunën - Bota Sot
Kurti: Qeverisjet e mëparshme në Gjilan e kanë trashur pushtetin dhe e kanë rrudhur komunën

Gjilani

Kurti: Qeverisjet e mëparshme në Gjilan e kanë trashur pushtetin dhe e kanë rrudhur komunën

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 17:43
Albin Kurti

(E plotësuar) - Në ditën e tretë të fushatës për zgjedhejt lokale të 22 Tetorit, në kryeqendren e Anamoravës, Gjilanin, Lëvizja VETËVENDOSJE! krahas prezantimit të kandidatëve pë Kuvend Komunal të kësaj ane, është bërë edhe shpalosja e Alternativës Qeverisëse pë Gjilanin.

Deputeti Albin Kurti, ishte ndër përfaqsuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!! që iu drejtua gjilanasve. Para tyre, ai tha se Gjilani është djep i veprimtarëve të ndryshëm kombëtar dhe per këtë mertion një kryetar atdhetar si Sami Kurteshi.

Duke i potencuar vlerat e kandiadati të VETËVENDOSJE!-s, Kurti nuk la pa e thumbuar edhe u qeverisjen aktuale të Gjilanit, qeverisje kjo që e ka trashur pushtetin dhe ka rrudhur komunen.

"Në Gjilan është trashur pushteti dhe është rrudhur komuna. Në Gjilan kemi decentralizim të territorit mbi baza etnike dhe centralizim të parasë mbi baza klanore. Me fitoren e VETËVENDOSJE!-s, Gjilani do të ketë decentralizim mbi baza qytetare dhe subvencionim mbi baza prodhuese. Sami quhet ndryshimi, Sami quhet zhvillimi, Sami quhet përparimi, Sami quhet bashkimi”, tha ndër të tjera Kurti në Gjilan

Sami Kurteshi shpalos prioritet e tij për Gjilanin, shprehet i bindur për fitore

Image

Në tubimin e VETËVENDOSJE!-s në Gjilan, kandidati për kryetar komune, Sami Kurteshi, tha se ndihet i nderuar për detyrën sfiduese që ka marrë për të ia kthyer Gjilanit dinjitetin.

Ai e ka filluar fjalën e tij me një shembull nga historia, për të treguar rëndësinë e angazhimit shoqëroro-politik për liri, barazi dhe demokraci, duke shtuat se pushteti e ka kuptuar se ndryshimi po vjen, gjë që po e frikëson.

“Njerëzit nuk presin nga qeverisja jonë që të zgjidhë të gjitha problemet e krijuara me dekada, sidomos këto të shtresuara tani e 17 vite nga dy partite, dhe pushtetarë të padijshëm, zhvatës e mashtrues ordinerë, që jo vetëm e kanë sakatosur e ngulfatur Anamoravën me decentralizimin enklavizues dhe ndarës, por edhe kanë keqqeverisur me Kosovën, me një të ngritur dore, dhe me ulje të vazhdueshme koke”, tha Kurteshi në tubimin në Gjilan.

“Ne jemi më të mirët, ne jemi të parët në listën zgjedhore, ne jemi 10-shja e ndritshme e Gjilanit, forca që kthen dinjitetin dhe krenarinë,  që kthen dritën në Gjilan. Këtë do ta garantojmë ne së bashku”, shtoi ai, duke përmendur kandidatët nga VV që synojnë mandatet në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Kurteshi u zotua se me qeverisjen e tij do të kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur i qytetarit nga keqqeverisja shumëvjeçare, përmes fuqizimit të rolit të tij në vendimmarrjen publike. Ai premtoi dyfishimin e numrit të çerdheve dhe institucioneve parashkollore, shujta falas për nxënëset/it e klasave të ulëta nga I-V, shërbime të rregullta mjekësore dhe stomatologjike në shkolla, me qëllime parandaluese dhe ndërgjegjësimi të fëmijëve, kabinete e laboratorë shkollorë, do të pajisim shkollat me biblioteka e kënde leximi, e do të përkrahim mësimdhënësit për ngritje të vazhdueshme profesionale, si dhe investime në shëndetësi, bujqësi e kulturë. Ai ka shpalosur edhe prioritete të tjera, siç janë transparenca e llogaridhënia, angazhimi për administratë efikase dhe për barazi në punësim,

“Nga ne, vërtetë pritet të qeverisim me Gjilanin, por secili prej jush pajtohet që sytë tanë duhet të mbajnë në horizont shqiptarët edëbuar nga trojet e tyre e që kanë bërë vend këtu në komunën tonë”, tha Kurteshi në fund, duke iu kërkuar gjilanasve ta votojnë numrin 10 në zgjedhjet e 22 Tetorit.

Visar Ymeri: Gjilani nuk mund t’i lihet në duar njerëzve si Lutfi Haziri

Image

Në tubimin e mbajtur në Gjilan, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka filluar fjalën duke kujtuar datën  7 qershor të këtij viti në Gjilan, që ishte dita e parafundit e fushatës për zgjedhjet qendrore, me ç’rast po mbahej tubimi përmbyllës në të njëjtën sallë ku po mbahej edhe sot.

“Atë ditë nuk na zuri kjo sallë. Dolëm në shesh para teatrit. Shihej qartë që në Gjilan kishim fituar. 4 ditë më pas u bë e qartë që në Kosovë kishim fituar As sot salla nuk po na zë. Edhe sot është e qartë që në Gjilan kemi fituar. Edhe më 22 tetor do të bëhet e qartë që kemi fituar në tërë Kosovën. Kundërshtarët po lodhen kot. Por nuk ka rëndësi, sepse edhe ashtu të lodhur kanë qenë dhe të lodhur kanë mbetë. Por Gjilani ka plot energji. E Sami Kurteshi është njeri i palodhshëm. Ashtu siç e do Gjilani. Kudo e kurdo që ka qenë i ka shërbyer kombit, përpjekjes çlirimtare, drejtësisë, barazisë”, tha Visar Ymeri para qytetarëve të Gjilanit, të mbledhur në Teatrin e këtij qyteti.

Duke folur për kandidatin për kryetar të kësaj komune, Sami Kurteshin, ai tha se më të u takuan në protesta, në ditët e kundërshtimit të demarkacionit e Zajednicës.

“Me të janë takuar gati secili në sheshet e Kosovës para se të takohen në zyrat e administratës. Te ne në Lëvizje erdhi bashkë me Shyhreten – çiftin që jam krenar që i njoh, e që bashkëpunojmë. Është një çift aktivistësh që tërë jetën ia përkushtuan përparimit të atdheut, vendit e komunës. Edhe kur Samiu ishte në institucione, aty ishte i popullit, Avokat i popullit. Deputet i popullit. Dhe tash do t’i shërbejë Gjilanit. Ashtu siç e kërkoni e e meritoni ju. E jo siç ka bërë Lutfi Haziri”, shtoi më tutje Ymeri.

Pasi përmendi dështimet e shumta të pushtetit aktual në këtë komunë, ai theksoi rëndësinë që ka komuna për të gjithë, duke shtuar se për këtë ajo nuk mund të lihet në duar të njerëzve si Lutfi Haziri, të cilin e quajti njeri të mjegullës e territ.

“Komuna është e tëra, politika, qytetari, ekonomia, shërbimet, publikja.  Aty të gjithë duhet t’i gjejnë mundësitë dhe mjetet për t’i përmbushur nevojat e tyre ekonomike, dhe për të jetësuar të drejtat e tyre politike, shoqërore e mjedisore. Mënyra se si e kanë bërë Komunën tregon se si e duan shoqërinë. Çfarë Komune përfytyrojmë tregon se çfarë shoqërie duam të jemi. Së bashku do ta ndryshojmë Komunën sepse duam ta ndryshojmë veten, do ta përmirësojmë Komunën sepse duam ta përmirësojmë jetën”, shtoi Ymeri.

“Prandaj më 22 tetor mendjen top e ftohtë, zemrën plot e ngrohtë, lapsin fortë në dorë, e dorën te numri 10, te Sami Kurteshi, te Lista e Lëvizjes, te e ardhmja e ndritur e Gjilanit. Duke e votuar numrin 10, e këta kandidatë, nuk keni votuar për përfaqësimin që ndan politikën prej qytetarit, sepse kryetari nga radhët tona, asamblisti ynë është përfaqësues  duke  qenë aktivist. Sepse për ne, demokracia nuk është thjeshtë rezultat numrash, por edhe numër aksionesh. Duke e votuar numrin 10 e këta kandidatë keni zgjedhur përparimin, barazinë, rregullin, pastërtinë, gjelbërimin, ambulantën, shkollën, mjekun, mësuesin, punën, bujqësinë, shërbimin, publiken. Keni zgjedhur Komunën. Vetëm duke e votuar numrin 10 keni votuar për Gjilanin”, përfundoi fjalën e tij, Visar Ymeri.

Besa Baftiu: Me Sami Kurteshin Gjilanit i kthehet shpresa

Image

Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbajtur sot tubimin elektoral në Gjilan, ku i pranishëm është kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja nga ky qytet Besa Baftiu dhe kandidati për kryetar komune i Gjilanit, Sami Kurteshi.

Në fillim të këtij tubimi, Besa Baftiu, e cila është edhe kryetare e qendrës së VV-së në Gjilan, tha se data 22 tetor  do të jetë fitorja e dytë e madhe për Gjlanin, VV-në dhe gjithë Kosovën. Ajo u shpreh e bindur për fitoren e Sami Kurteshit.

“Këtë fitore të Vetëvendosje!-s  po e presim me padurim sepse jemi lodhur nga keqqeverisjet tash e 18 vite në komunën tonë, e që ranë në kurriz të secilit qytetar të ndershëm të komunës tonë. Për këto 18 vite, Gjilani pësoi degradimin dhe izolimin më të madh ekonomik. Gjilani nga një qytet me industri dhe fabrika, u shnëdrrua në një qytet të kafiterive, qendra të konsumit”, tha ndër të tjera deputetja Baftiu.

Ajo shtoi se Gjilani sot vuan nga mungesa e arsimit cilësor, shërbimeve jokualitative shëndetësore, shërbimeve joefikase në administratën publike e punësimeve vetëm me libreza partiake .

“Të gjitha subjektet që kanë qeverisur në Gjilan, i fituan votat për t’i përmisuar pikërisht këto shërbime, por asnjëra prej tyre nuk përmirësoi jetën e qytetarëve të komunës sonë. Prandaj, duhet dhënë fund logjikës së qeverisjes përmes  mashtrimeve, premtimeve të kota, korrupsionit dhe demagogjise”, shtoi po ashtu deputetja Baftiu.

Tutje, ajo tha se Sami Kurteshi është kandidati më i mirë për Gjilanin duke potencuar se premtimet dhe zotimet e tij  dhe  ekipit të tij janë premtime të realizueshme dhe të zbatueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat