Ymeri: Vota për Salih Salihun e çrrënjos korrupsionin në Viti

Gjilani

Ymeri: Vota për Salih Salihun e çrrënjos korrupsionin në Viti

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 18:18
Visar Ymeri

Në tubimin e VV’së në Viti, para qytetarëve të kësaj komune, kryetari Visar Ymeri, ka thënë se komunat e Kosovë veç e veç janë siç është Kosova në tërësi – të harruara, të nëpërkëmbura, të privatizuara e të tjetërsuara. Ai u shpreh se duke qenë pikëpamje për analizë, Komuna mund të bëhet edhe pikënisje për ndryshim.

“Kur Lëvizja fiton në Kosovë, ajo do të fitojë edhe në Komuna. E Lëvizja të dashur miq ka fituar në Kosovë, e nuk ka gjë që ia ndal vrullin nëpër secilën Komunë. Raporti i qeverisë qendrore me pushtetin e Komunës po shtrembërohet. Së pari kryeministrat ndajnë buxhet për komunat që i qeverisin kryetarët nga partitë e tyre. Kriter po aq i rëndësishëm brenda kësaj pastaj bëhet masa në të cilën kryeministri e ka shok kryetarin e komunës së partisë së tij”, tha Ymeri para vitiasve, duke thënë tutje se vota për LDK-në e PDK-në është votë për të njëjtën mendësi.

Tutje, kryetari i VV’së tha se shkatërrimi i komunës është shkatërrim i jetës së qytetarit, i mundësive të tij, i të drejtave të tij. Kurse për ta ndalur këtë shkatërrim, ai tha se Vitia duhet ta votojë Salih Salihun, duke e cilësuar atë si të vetmin kandidat që e çrrënjos krimin dhe korrupsionin.

“Kur ta votoni Salih Salihun, keni votuar VETËVENDOSJE!. Dhe Salihu VETËVENDOSJE! do të mbetet. Si para zgjedhjeve, ashtu edhe gjatë zgjedhjeve, njëjtë edhe pas zgjedhjeve, si aktivist, si deputet, si kryetar. Dhe me kryetarët e tjerë nga VETËVENDOSJE! do t’i lidhim komunat mes vete. Vitinë, me Salih Salihun, do ta lidhim me Kaçanikun, ku po ashtu do të fitojë VETËVENDOSJE!. Këto të dyja bashkë do t’i lidhim me Gjilanin, ku definitivisht do të fitojë VETËVENDOSJE!. Gjilani do të lidhet me Dardanën, ku sigurisht do të fitojë VETËVENDOSJE!. Këto të katra bashkë do t’i lidhim me Prishtinën ku tashmë ka fituar VETËVENDOSJE!”, tha po ashtu Ymeri.

“Prishtinën do ta lidhim me Besianën e cila po ashtu do të qeveriset nga VETËVENDOSJE!. Të gjitha bashkë përmes Shalës së Bajgorës do të lidhen me Mitrovicën e cila sigurtë do të qeveriset nga VETËVENDOSJE!. Mitrovica do të lidhet me Vushtrrinë, e cila definitivisht do të qeveriset nga VETËVENDOSJE!. Të gjitha bashkë do të lidhen me Fushë Kosovën, në të cilën do të drejtojë VETËVENDOSJE!. Kështu do të vijmë bashkë te Ferizaji, i cili definitivisht do të drejtohet nga VETËVENDOSJE!. Ferizaji tashmë është i lidhur me Vitinë, dhe përmes Maleve të Sharrit do t’i lidhim të gjitha me Prizrenin, edhe ky i drejtuar nga VETËVENDOSJE!. Prizreni do të lidhet me Gjakovën, komunë që do të drejtohet nga VETËVENDOSJE!. Kështu VETËVENDOSJE! do të qeverisë me Kosovën”, shtoi tutje ai.

Në fund ai tha se ndryshimi dhe transformimi i Kosovës vjen nga populli, nga poshtë, ndaj bëri thirrje të votohet numri 10, Salih Salihu për kryetar të Vitisë dhe kandidatët për asable nga VV për Kuvendin Komunal të kësaj komune.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat