Salih Salihu: Vitisë i duhet shpresa e zhvillimi, ato vijnë me VV-në

Gjilani

Salih Salihu: Vitisë i duhet shpresa e zhvillimi, ato vijnë me VV-në

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 18:22
Albin Kurti dhe Salih Salihu

Kandidati për kryetar të Vitisë, Salih Salihu, tha në tubimin e mbajtur në këtë komunë se Vitia dhe gjithë Anomorava, sikurse gjithë Kosova, kanë vendosur për Vetëvendosje!-n si subjektin e parë në Kosovë.

“Që 18 vite, Vitia u shkatërrua duke u qeverisur keq e më keq. Sot e kemi një Viti të cunguar nga procesi i decentralizimit. Sot e kemi një Viti të izoluar e të pazhvilluar.  Vitia mbeti pa u kyqur në autostradë në fshatin Gërlicë sepse pushteti lokal nuk bëri as përpjekjet minimale për t’u bërë kjo nga pushteti qendror”, shtoi Sali Salihu në këtë tubim.

Ai përmendi problemet me të cilat ballafaqohen vitiasit, e më pas u shpreh i bindur se më 22 Tetor do t’i jepet fund mendësisë qeverisëse, e cila siç tha ai, e ka sjellur qytetin në gjendje të mjerueshme. Salihu tha se Vitisë i duhet shpresa, zhvillimi, drejtësia e punësimi, të cilat vijnë vetëm me qeverisjen e VV-së.

“Me ne do të kemi administratë të përgjegjshme, transparente dhe efikase nëpërmjet riorganizimit dhe digjitalizimit; do të ofrojmë transparencë radikale të shpenzimeve, duke publikuar çdo shpenzim të parasë publike në faqe zyrtare, transparencë e plotë në zyrën e prokurimit dhe në punësim; do të bëjmë depolitizim total të arsimit dhe nuk do të ketë me asnjë punësim pa konkurs; kifle për nxënës deri në klasën e 5-të, duke filluar nga 1 shtatori i vitit 2018”, ishin disa nga zotimet e Salih Salihut të cilat tha se do t’i realizojë me ardhjen në krye të komunës së Vitisë.

Ai premtoi edhe çerdhe të reja, investim për ta rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore, mbështetje për bujqit dhe hartimin e projektit për sistemin e ujitjes, ujë të pijshëm gjatë gjithë kohës për gjitha vendbanimet, pastërti në qytet e fshatra, përkrahje për klubet sportive dhe angazhim shtesë të personelit për të rritur kapacitete shërbyese gjatë muajve korrik dhe gusht për mërgimtarët.

Në fund, ai prezantoi listën e VV’së për Kuvendin Komunal të Vitisë, të cilën e quajti listë të fitores dhe ndryshimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat