Haziri:Jemi ndryshe në menaxhim dhe qeverisje

Gjilani

Haziri:Jemi ndryshe në menaxhim dhe qeverisje

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 11:39
Lutfi Haziri

Duke besuar fuqishëm në fitoren e tij, kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri premton menaxhim dhe qeverisje ndryshe nga të tjerët me qëllim të zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, arsimor dhe shëndetësor.

Kandidati i LDK-së për kryetar të ka thënë se gjatë mandatit të ardhshëm ndër prioritetet kryesore të tij është që këtë qytet ta nxjerr nga infrastruktura e viteve të 70-ta.

Dhe këtë planifikon ta bëjë duke përfunduar infrastrukturën rrugore që lidhet me autostradën ,trajtimin e ujërave të zeza si dhe ndërtimin  e kolektorëve të ujërave për gjithë territorin e komunës.

Haziri: Motivi im është mobilizimi financiar

“E vetmja arsye dhe i vetmi motiv që do ta dërgojë ne vendimin për kandidaturën e re, është mobilizimi financiar dhe projektet madhore që kanë filluar në Gjilan tri vitet e fundit veçanti që lidhen me infrastrukturën rrugore që është prioriteti dhe shtylla kryesore të programit qeverisë në Gjilan, jo vetëm infrastruktura rrugore që lidhet me autostradën dhe hyrjet-daljet e qytetit që tashmë janë në fazën e fillimit të punimeve ose janë duke punuar, por edhe trajtimi i ujërave të zeza, ndërtimi i kolektorëve të ujërave për gjithë territorin e komunës së Gjilanit, që përfshin edhe zonat rurale edhe zonën urbane si kërkesë themelore apo projekt kryesor,  i cili Gjilanin e nxjerr nga infrastruktura e viteve të 70-ta”,tha ai.

Haziri për mandatin e ardhshëm prioritetet e tij i ka renditur në 4 shtylla kryesore në të cilat pritet ta bëjnë një Gjilan ndryshe.

Përmes investimit në kuadro, në personel dhe në infrastrukturë shkollore Haziri ka për qëllim ta rris cilësinë e arsimit në qytetin e Gjilanit.

Në programin qeverisës ai parasheh edhe ndërtimin e disa çerdheve, shkollave, si dhe zhvendosjen e objektit të shkollës së mesme dhe objektin e  Universitetit të Gjilanit.

Haziri:  Gjilani 2017 plus është ndërtuar në 4 shtylla

“Gjilani 2017 plus është ndërtuar në katër shtylla me projekte të barabarta në realizimin e objektivave dhe vizionin për një Gjilan ndryshe definitivisht. Shtylla e parë mbetet arsimi që nënkupton për ne investim në kuadër, në personel dhe në infrastrukturë. Ndërtimin e institucioneve parashkollore që ne kemi filluar në program do ta finalizojmë me çerdhen e re në lagjen Arbëria, me Ardhmëria një po çerdhja e qendrës të qytetit e cila është ende me objekt me qera, dhe në lagjen Malësia në Gjilan, e cila përmbyll nevojat e institucioneve parashkollore. Natyrisht në kuadër të kësaj në shkallën e dytë sipas planit strategjik në arsim do të ndërtojmë katër objekte për parashkollorët që përfshinë grup moshën para se të hynë në shkollim të drejtpërdrejtë dhe infrastrukturën e shkollave fillore dhe të mesme duke e larguar nga kampusi i shkollave të mesme në universitetin e Gjilanit, i cili duhet të kaloj ne tokën dhe në hapësirën e vet që ne e kemi nda 7.1 hektar tokë tek kazerma e vjetër e ushtrisë”, tha ai

Ai po ashtu ka premtuar edhe rritje të cilësisë së shërbimeve mjekësore duke investuar në kuadro, personel teknik si dhe duke bërë  fuqizimin e objektit të Qendrës Kryesore Mjekësore Familjare në Gjilan.

Haziri  prioritet ka edhe zhvillimin lokal ekonomik e sidomos subvencionimin për bimën e duhanit, një kulturë e vjetër e kësaj ane.

Për t’i përfshirë të rinjtë në agro-biznes, Haziri ka synim t’i aftësojë dhe t’i trajtojë ata përmes qendrës për aftësim profesional dhe trajnime në Gjilan.

Haziri: Bima e duhanit të kthehet në kulturë të re

“Ne mendojmë që qendra për aftësim profesional dhe trajnime në Gjilan është institucioni i ri që kemi themeluar, i cili ka me u  merr me përfshirjen e të rinjve në agro biznes, edukimin e tyre, edukimin profesional e kam fjalën, përfshirjen sa më të madhe të rinjve në agro biznes në mënyre që Gjilanit me iu kthy përfundimisht kujdesi dhe zhvillimin lokal-ekonomik, subvencione në bimën e duhanit, largimi i akcizës për shkak të problemeve ligjore sot dhe subvencionimi i fermerëve në mënyre që të prodhohet bima e duhanit është kulturë e re e punës që ne kemi për ta aplikuar, ndërsa në të njëjtën kohe gjilanasit e kanë kulturë të vjetër të punës. Ne presim që privatizimi i Kombinatit të Duhanit të del i suksesshëm dhe në një marrëveshje tri palëshe mes Kombinatit të ri të Duhanit në Gjilan ndërmarrjes së re “Gjilani Tabaco”, komunës dhe Qeverisë në njërën anë dhe fermerëve në anën tjetër të fill ojmë punimin e bimës së duhanit e cila ka kapacitete potenciale jashtëzakonisht të mëdha”,tha Haziri.

Haziri thotë se qeverisja e tij është ndryshe në menaxhim dhe punojnë me zero tolerancë sa i përket zbatimit të detyrave ligjore.

Haziri: Jemi ndryshe në menaxhim dhe qeverisje

“Ndryshe në menaxhim definitivisht po, ndryshe në qeverisje unë aplikoj formë edhe metodë krejt ndryshe, punojmë parimin dhe delegimin e detyrave, ndërtoj ekip dhe natyrisht jam me zero tolerance sa i përket zbatimit të detyrave ligjore, ligjeve dhe mekanizmave që kërkon ligji definitivisht dhe jam i lidhur me Gjilanin në çdo kuptim edhe fizik, politik dhe është prona ime të cilën unë mendoj duhet vazhduar për të jep më shumë”, tha ai.

Gjilanasit duhet ta votojnë atë, sepse siç tha Haziri, Gjilani  ka nevojë për t’u integruar plotësisht edhe në kuptimin politik edhe administrativ edhe infrastrukturor me Prishtinën dhe Tiranën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat