Haziri falënderon Bashkësinë Islame për bashkëpunimin e vazhdueshëm

Gjilani

Haziri falënderon Bashkësinë Islame për bashkëpunimin e vazhdueshëm

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 18:30
Haziri falënderon Bashkësinë Islame

Në kuadër të vizitave nëpër institucione të ndryshme të Komunës së Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri, ka vizituar sot Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan dhe ka falënderuar ata për kontributin që po japin dhe për neutralitetin që kanë mbajtur gjatë gjithë kohës sa Gjilani është në fushatë elektorale për zgjedhjet lokale.

“Bashkësia Islame në Gjilan, imamët e xhamive dhe struktura organizative e saj kanë dhënë kontributin e tyre të vazhdueshëm, në procese të ndryshme para dhe pas luftës në Kosovë. Është për t’u përshëndetur neutraliteti i mbajtur nga institucioni më i madh fetar në Gjilan. Njejtë kanë vepruar edhe imamët nëpër xhami të ndryshme, derisa Gjilani është në fushatën elektorale për zgjedhjet në nivelin lokal”, tha kryetari Haziri.

Ai më tej garantoi që edhe gjatë mandatit të ardhshëm do të jetë bashkëpunëtor i ngushtë dhe gjithnjë në interes të qytetarëve të Gjilanit, me kushteve më të mira dhe infrastrukturë më të mirë njëkohësisht.

“Projektet të cilat i kemi në proces gjithsesi do të vazhdojnë të përfundohen, e ato që janë kërkesë e Bashkësisë Islame do të kenë mbështetjen e fuqishme të Komunës së Gjilanit, sepse janë në interes të përbashkët dhe u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Gjilanit”, tha mes tjerash, kryetari Lutfi Haziri.

Ndërsa nga ana e tij, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit dhe angazhimit për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Gjilanit, për kushte më të mira për besimtarët mysliman nëpër xhami dhe institucionet arsimore që menaxhohen nga institucioni i tij.

“Ju falënderojmë për mbështetjen e deritanishme dhe për angazhimin që keni treguar në vazhdimësi për Bashkësinë Islame. Angazhimet e Komunës së Gjilanit në rregullimin e varrezave ekzistuese, projektin e shpenzimeve zero për varrim, pastaj puna që po bëhet për lokacionin e ri të varrezave të qytetit, por edhe projekteve dhe programit për mbështetjen në aspektin e hapësirës dhe të infrastrukturës fetare, na bëjnë falënderues të përhershëm për vendosmërinë tuaj”, ka thënë në emër të këshillit, kryetari Aliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat