Ndihmohen fëmijët me nevoja të veçanta dhe nënat pa përkujdesje

Gjilani

Ndihmohen fëmijët me nevoja të veçanta dhe nënat pa përkujdesje

Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 17:16
Pamje nga takimi

Me iniciativë të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri dhe me përkrahje të rotarianëve të kësaj komune, më 27 dhjetor organizohet Gala Mbrëmje humanitare për t’i dalë në ndihmë fëmijëve me nevoja të veçanta, nënave pa përkujdesje dhe personave tjerë me nevoja të veçanta.

Për këtë ngjarje, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbledhur sot në takim përfaqësuesit Klubit Rotarian “Gjilani”, Qendrës së Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatës “Liria” dhe shoqatës “Handikos”.

Pas takimit, kreu i gjilanasve ka apeluar të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të vazhdojnë të bëhen solidar në mbështetje të fëmijëve dhe nënave.

“Falënderoj njerëzit e vullnetit të mirë që kontribuuan për ndërtim të 47 shtëpive. Nga ai fond paguajmë qira për 41 familje, 40 shtëpi të tjera i kemi rinovuar, ndërkaq edhe shtatë shtëpi të tjera do të ndërtohen”, tha Haziri.

Aktori i mirënjohur, Fatmir Spahiu, i cili do ta moderojë këtë mbrëmje, ka përgëzuar kryetarin Haziri për iniciativën, duke besuar në mbështetjen e madhe të njerëzve të vullnetit të mirë.

Përfaqësuesit e rotarianëve “Gjilani” dhe shoqatave “Pema”, Liria e Handikos kanë bërë thirrje që të mbështeten këto kategori, duke iu krijuar mundësi më të mira për jetesë.

Ndryshe, mbrëmja humanitare do të mbahet më 27 dhjetor me fillim në ora 20:00 dhe me transmetim të drejtpërdrejtë të Radio Televizionit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat