Vjedhje si në filma në Gjilan: Hajnat plaçkitin 10 mijë euro mall, aksidentohen gjatë ikjes - Bota Sot
Vjedhje si në filma në Gjilan: Hajnat plaçkitin 10 mijë euro mall, aksidentohen gjatë ikjes

Gjilani

E hënë, 22 tetor 2018

Vjedhje si në filma në Gjilan: Hajnat plaçkitin 10 mijë euro mall, aksidentohen gjatë ikjes

Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 10:40
Foto ilustrim

Tre minuta brenda lokalit “Endi” në Zhegër të Gjilanit u mjaftuan gjashtë hajnave që të vjedhin cigare të llojeve të ndryshme në vlerë prej 10.000 eurosh. Përderisa ata po vidhnin, pronari i marketit bashkë me dy vëllezërit e tij ishte nisur për në vendin e ngjarjes, por gjatë rrugës hajnat i kishin aksidentuar ata për t’u larguar në një drejtim të panjohur.

Gjashtë persona të dyshuar të cilët tashmë ndodhen nën prangat e Policisë së Kosovës, së pari kishin vëzhguan terenin me veturë e me pas kishin kryer këtë vjedhje të rëndë. Të njëjtit po hetohen edhe për vjedhje të tjera në Gjilan, Viti e Ferizaj

Venhar Ramadani, pronari i marketit “Endi” tregon për se nga marketi hajnat kishin vjedhur rreth 72 lloje të ndryshme të cigareve (afro 720 pako), si dhe 80 shteka tjerë të cigareve. Ndërsa nga dy arkat e marketit kishin marrë rreth 1500 euro para të gatshme.

“E gjithë kjo arrin vlerën e 10 mijë eurove”, thotë pronari i marketit.

Ramadani rrëfen se si i vërejtën hajnat që po ua thyenin lokalin dhe si u aksidentun me vetura.

Ngjarja kishte ndodhur më 24 nëntor pas orës 12:00, kur edhe vetë Ramadani kishte mbyllur lokalin për të shkuar në shtëpi. Por, pasi kishte ardhur në shtëpi vëllai i tij i kishte treguar se brenda marketit kishin hyrë disa persona.

“Vëllau e ka të lidhur telefonin me alarmin e marketit. Na ka tregu se diçka po ndodh brenda, jena përgatit shumë shpejt edhe jemi nis të tre vëllëzërit bashkë”- tregon Ramadani.

Pak para se të mbërrinin te marketi, hajnat kishin aksidentuar veturën e pronarit të cilën e kanë dëmtuar shumë dhe e njëjta nuk ka qenë në gjendje që të lëvizë.

 “Jemi nis shumë shpejt, në atë moment edhe aksident kemi pas me ta na kan mshu me kerr sa që kerri jonë më ska qenë në gjendje as me lëvizë as kurgjë edhe më skemi mujt me i përcjell”, rrëfen Ramadani.

Përveç dëmeve materiale ata kishin marrë  edhe lëndime të lehta, menjëherë ata u kthyen në shtëpi për të marrë një veturë tjetër që t’i përcjellin hajnat.

“Kemi qenë tret në kerr, tre vllaznia jemi kthy në shtëpi e kemi marrë kerrin tjetër ju kemi pikë mbrapa m’i përcjell,  e kam thirr policinë me i qit dy tre patrulla për shkak që e njohim terenin”- rrëfen Ramadani.

Të tre vëllezërit ishin munduar që t’i gjenin hajnat duke shkuar deri në Viti por edhe në vende tjera deri në mëngjes. Mirëpo hajnat kishin arritur që të ikin më shpejt.

Ramadani thotë se nuk i njeh hajnat, konsideron se janë dëmtuar mjaftë pasiqë është informuar edhe nga policia se të dyshuarit e kanë hargjuar mallin e vjedhur.

Më 15 dhjetor Policia e Kosovës kishte arrestuar njërin nga gjashtë të dyshuarit i cili më pas i ka zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tij me të cilët kishte kryer vjedhjen.

“Gjashtë personat janë arrestuar. Të njëjtit kanë kryer vjedhje në Gjilan, Ferizaj, Viti etj. Policia e Kosovës po bën hetimet për të gjetur edhe vendet ku të dyshuarit e kanë shitur mallin”, tha Shaban Azizi nga zyra për informimin në Policinë e Gjilanit, të martën. Nga kamerat e sigurisë së marketit është parë se procedura e vjedhjes kishte zgjatur tre minuta por ata e kishin vëzhguar shumë më herët terenin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test