“Flaka e Janarit”, ansambli “Mati” nga Burreli shfaq program artistik

Gjilani

“Flaka e Janarit”, ansambli “Mati” nga Burreli shfaq program artistik

Më: 30 janar 2018 Në ora: 10:37
Flaka e Janarit

Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, po e vazhdon rrugëtimin me sukses, ndërsa aktiviteti i radhës ka qenë koncerti i shfaqur nga Ansambli “Mati” nga Burreli i Shqipërisë.

Ky aktivitet erdhi për publikun gjilanas si bashkëpunim i Komunës së Gjilanit, Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë dhe Bashkisë Mat.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, falënderoi ansamblin e Matit për programin e dhënë në kuadër të “Flakës së Janarit”, ambasadorin shqiptar Qemal Minxhozi,  për angazhimin e tij, duke thënë se ai është miku më i madh i Gjilanit dhe në të ardhmen do të ketë aktivitete të përbashkëta  në kuadër të “Flakës…”

“Ky koncert, por edhe aktivitetet tjera të “Flakës...” le të shërbejnë si homazh për të gjithë  të rënët në luftën e gjatë për lirinë e shqiptarëve. “Flaka e Janarit” do të zgjerohet akoma dhe do të bëjë dritë për çdo pjesë të vendit”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ambasadori Minxhozi ka vlerësuar lart performancën e Ansamblit “Mati”, duke shtuar se po ndihet edhe më i emocionuar, për faktin që edhe vetë ai vjen pikërisht nga kjo pjesë e Shqipërisë.

Ambasadori shqiptar, artistët e këtij ansambli i quajti legjenda të gjalla, që sonte shfaqën një pjesë të repertorit, një pjesë të shpirtit të tyre dhe sipas tij, ata janë gurra e pashtershme matjane dhe se ky ansambël është përçues i muzës popullore matjane.

Nga ana e saj, Linditë Doda, duke vlerësuar mikpritjen, tha se po i sjell përshëndetjet nga Mati apo “Lugina e mbretërve”, siç njihet andej.

Kurse deputetja e Kuvendit të Kosovës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka vlerësuar lart këtë koncert të kësaj trupe, duke thënë se erdhi më i veçantë se aktivitetet tjera dhe se pikërisht një aktivitet i tillë ka vendin e vet të merituar në një manifestim siç është “Flaka e Janarit”.

Ndryshe, Manifestimi “Flaka e Janarit 2018” do të vazhdojë me Orën e Madhe Letrare më 31 janar, ora 16:00 dhe për të kulmuar me Festivalin e Muzikës Shqipe “Fest Flaka”, në ora 17:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat