Aksioni “Ta pastrojmë Gjilanin” fillon më 15 shtator

Gjilani

Aksioni “Ta pastrojmë Gjilanin” fillon më 15 shtator

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 23:28
Lutfi Haziri, ka mbajtur takimin e radhës me Grupin Punues për përgatitjen e planit operativ në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Gjilanin”

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur takimin e radhës me Grupin Punues për përgatitjen e planit operativ në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Gjilanin”, ku përpos pjesëmarrjes ndërinstitucionale e fetare, kanë marrë pjesë edhe ministri në detyrë Fatmir Matoshi e zëvendësministri Rexhep Kadriu.

Kryetari Lutfi Haziri në fjalën e tij në këtë takim ka thënë se është takim për planin operativ të aksionit i cili përfshinë gjithë territorin e Komunës së Gjilanit dhe të gjithë qytetarët pa dallime etnike e fetare, por, edhe të gjitha institucionet dhe operatorët ekonomik.

Haziri ka potencuar se pastërtia mund ti kthehet Gjilanit dhe për këtë ka gatishmëri të plotë në nivelin lokal në Gjilan, në koordinim edhe me nivelin qeveritar të Republikës së Kosovës.  

“Pastërtia mund të bëhet dhe për këtë jemi të vendosur. Kemi mobilizim maksimal dhe mbështetje nga të gjitha institucionet që veprojnë në Komunën e Gjilanit. Besojmë shumë që do të kemi sukses dhe njëkohësisht duke njohur kulturën e lartë qytetare dhe gatishmërinë e të gjithëve për pjesëmarrje në këtë aktivitet, shembull i qytetit të pastërt sigurisht që në nivel të Republikës do të jetë komuna jonë. Ky është aksioni më i madh që nga paslufta në Kosovë”, ka thënë kryetari Haziri. 

Ai ka paralajmëruar edhe takime të tjera me përfaqësues të ndryshëm, që nga fshatrat e deri të komuniteti i biznesit, shoqërisë civile, shkollave etj, duke njoftuar që është aksion gjithqytetarë.  

Fatmir Matoshi koordinator nacional i aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, nga qeveria e Kosovës dhe Rexhep Kadriu koordinator nga Ministria e Infrastrukturës, kanë thënë se mobilizimi i Gjilanit është shembull edhe për qeverinë e Kosovës dhe për të gjitha Komunat.

Ata kanë potencuar grantin prej 1.2 milionë euro që do të ndahet nga qeveria për pesë komunat të cilat do të jenë model në nivel vendi.

Në këtë takim të koordinuar nga kryetari Lutfi Haziri, kanë marrë pjesë edhe drejtorët e Drejtorive Komunale, të gjithë drejtuesit e ndërmarrjeve publike, përfaqësuesit e FSK-së, Policisë së Kosovës, përfaqësuesit e rinisë, të grave etj.

Aksioni “Ta pastrojmë Gjilanin” fillon më 15 shtator dhe do të zgjasë intenzivisht në gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit për tre muaj rresht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat