Mbledhje komemorative në nder të viktimave nga fatkeqësia rrugore – Këshilli i Komunës së Gostivarit shpalli tre ditë zie - Bota Sot
Mbledhje komemorative në nder të viktimave nga fatkeqësia rrugore – Këshilli i Komunës së Gostivarit shpalli tre ditë zie

Gostivari

Mbledhje komemorative në nder të viktimave nga fatkeqësia rrugore – Këshilli i Komunës së Gostivarit shpalli tre ditë zie

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 17:46
Gostivari

Në nder të viktimave nga rasti tragjik që ndodhi dje si pasojë e një fatkeqësie trafiku në autostradën Shkup-Gostivar, në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit u mbajt sot mbledhje komemorative ku morën pjesë kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, kryeministri Zoran Zaev, presidenti Gjorgji Ivanov, ministra, deputetë dhe personalitete të tjera nga jeta shoqërore-politike.

Në fillim të mbledhjes komemorative, kryetari Taravari kërkoi një minutë heshtje nga të pranishmit, ndërsa në fund kryetari i këshillit të komunës Nasir Musliu shpalli tre ditë zie në nivel të komunës, edhe atë 14, 15 dhe 16 shkurt. Pas mbledhjes komemorative, të pranishmit shkruan në librin e zisë që u hap enkas për këtë tragjedi.

Me fjalime ngushëlluese, të pranishmive iu drejtuan kryetari i komunës Arben Taravari, kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti Gjorge Ivanov.

Fjalimin e kryetarit Taravari ua përcjellim në mënyrë integrale:

“Para se të filloj fjalimin tim kërkoj një minutë heshtje për viktimat e djeshme.

I nderuar qoftë kujtimi i tyre!

Gostivaras!

Vdekja mori dje në një orë të vetme 14 prej nesh!

14 jetë njerëzish, 14 histori të ndërprera në pasditen e zymtë të 13 shkurtit 2019!

Po udhëtonin për në shtëpitë e tyre, po ktheheshin për në Gostivar, por nuk paska qenë e shkruar që kjo të ishte një ditë tjetër e jetës së tyre!

Orët e mortit nuk kanë qenë kurrë të lehta, ashtu si sot, ku pesha e tyre mezi më lejon të artikuloj fjalët e mia!

Por gjithsesi ishte Vullneti i Zotit dhe me durim duhet t’i përulemi çdo gjëje që Ai ka shkruar…pavarësisht se dhimbja e këtyre 14 familjeve, që janë edhe familja ime, familja e të gjithë Gostivarit sot është aq e madhe sa kjo është një nga sprovat më të tmerrshme në historinë e qytetit tonë.

Profesioni im është ai i mjekut, në ditët e punës time si mjek kam parë shumë dhimbje, por asgjë nuk krahasohet me këtë tragjedi që na është ulur këmbëkryq në qytetin tonë!

Askush nuk i di se cilët kanë qenë mendimet e tyre të fundit, por askush nga ata nuk e ka ditur se do të humbin jetën në një ditë si ajo e djeshmja, derisa ktheheshin rrugës për në shtëpi.

Dhimbja mbetet e atyre që mbetën pas, dhimbja mbetet e jona!

Është shumë e vështirë ta kontrollojmë, sidomos për nënat, fëmijët, baballarët, motrat, vëllezërit, ata që janë të prekur drejt për drejt nga fatkeqësia!

Është e vështirë për mua që të mbaj këtë fjalim sot duke ditur që njerëzit e mi kanë humb jetën, por ata janë dorëzuar Zotit e sigurisht që janë në duart më të mira!

Thonë që fatkeqësitë i afrojnë më shumë ata që mbeten pas, qoftë kjo një e tillë! Nga kjo ditë e padashur le të kuptojmë të gjithë se sa e rëndësishme është ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin sa jemi gjallë, se jeta është e shkurtër për të shtyrë planet e humanizmit, respektit dhe dedikimit!

Edhe njëherë kthehem tek 14 viktimat! I lutem Zotit që t’i falë e t’i pranojë sa më afërt Tij, i lutem që të bëjë të fortë familjarët e tyre, i lutem Zotit për ne, për Gostivarin!

Në këtë tragjedi rrugore, kanë mbijetuar shumica, 30 të tjerë po trajtohet në spital, por janë jashtë rrezikut për jetën!

I lutem Zotit të japë shërim të plotë për të gjithë ata, dhe i kërkoj shtetit që të asistojë familjet e goditura nga fatkeqësia deri në maksimumin e mundshëm!

Falënderoj të gjitha institucionet shtetërore dhe private që u treguan të gatshëm për të na ndihmuar, falënderoj mbi të gjitha qytetarët të cilët kanë ndihmuar heroikisht duke shpëtuar një numër të madh prej udhëtarëve.

Sot Maqedonia është në ditë zije, sot flamujt ranë gjysëm shtizë, sot i madhi dhe i vogli mban dhimbjen e humbjes së përhershme, sot i thuhet Lamtumirë 14 gostivarasve të mirë, të ndershëm, që do i kujtojmë gjatë si 14 udhëtarët e pafat që nuk ja dolën dot të ktheheshin në shtëpi, por puna më e mençur është të lutemi që tash të jenë të pranuar në Shtëpinë e Vërtetë, në Shtëpinë e Zotit!

Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave, shërim të shpejtë të lënduarve!

Ishte fjalimi im më i vështirë…Zoti të na e lehtësojë dhimbjen!”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...