40 ditë bllokadë në Rusino të Gostivarit

Gostivari

40 ditë bllokadë në Rusino të Gostivarit

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 17:24
Foto Ilustrim

Kërkesa e tyre deri më tash ka hasur në vesh të shurdhër ngase nuk është bërë asnjë hap konkret që të gjendet zgjidhje për mbeturinat e rajonit të Pollogut.

Rusino vazhdon të jetë zonë e ndaluar për hedhjen e mbeturinave nga ana e komunave të Pollogut. Mbeturina në këtë vend mund të hedhë vetëm Ndërmarrja Publike Komunale e komunës së Gostivarit. Nga Lëvizjes Qytetare “Stop Rusino Ajër të pastër për Gostivarin” shprehen të revoltuar për mosinteresimin e institucioneve të shtetit që të gjendet zgjidhje për këtë deponi. Kërkesa e tyre për një takim me kryetarët e komunave të Pollogut për të gjetur një gjuhë të përbashkët nuk është mbajtur.

“Kemi pasur premtime se do të mbahet një takim me 8 kryetarët e komunave të Pollogut por nuk na kanë kthyer përgjigje. Është njerëzore që ata të na kthejnë përgjigje në postën elektronike që të diskutojmë për këtë problem por ata janë të painteresuar. Kemi edhe kërcënime që bllokimi të ndërpritet por ne nuk kemi ndërmend që të tërhiqemi dhe do të vazhdojmë edhe më tej, do të ngremë padi penale, do të mbledhim nënshkrime dhe nuk do të ndalemi derisa Rusino të mbyllet” thonë nga kjo iniciativë qytetare, e cila për të katërtën herë me radhë po bllokon punën e deponisë Rusino.

Bllokimi i deponisë Rusino vazhdon tashmë 40 ditë, kurse aktivistët apelojnë që edhe qytetarët tjerë të bashkëngjiten deri në mbylljen e tërësishme të kësaj deponie. Ata ftojnë të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare që të bashkëngjiten në luftën për ajër të pastër. “Këta njerëz që tashmë 40 ditë qëndrojnë në bllokadë, janë nga katër ose pesë njerëz që qëndrojnë në ndërrime çdo ditë është një punë shumë e lodhshme. Prandaj duhet që të ndihmohen këta njerëz qoftë me prezencë fizike qoftë në mënyra të ndryshme sepse është një proces shumë i lodhshëm. Unë kam tre fëmijë dhe dëshiroj që ata të rriten në qytetin e Gostivarit në ajër të pastër”, thotë për KOHA, Sonja Bozhinovska nga Lëvizija Qytetare “Stop Rusino Ajër të pastër për Gostivarin”. Derisa të rregullohet deponi e re, nga kjo lëvizje kërkojnë që mbeturinat të cilët do të hidhen në deponinë Rusino, të tamponohen, të pastrohen ujërat nëntokësorë, të ketë monitorim 24 orësh që mbeturinat mos ndizen, të rregullohet rruga dhe të ketë orar të caktuar dhe të posaçëm kur do të hidhen mbeturinat.

Krahas kësaj, nga ana e Lëvizijes Qytetare “Stop Rusino Ajër të pastër për Gostivarin” kërkojnë që të angazhohen edhe anëtarë të saj që të kontrollohet situata në këtë deponi. Sipas organizatorëve të bllokadës, deri më tash revolta e tyre ka dhënë efekte pasi që është ndërprerë hedhja e mbeturinave për komunat tjera të Pollogut dhe qytetarët edhe krahas shumë sfidave në këtë periudhë kanë rezistuar. “Edhe pse kemi pasur një muaj me temperatura të larta, edhe pse jemi në kohë të pandemisë, megjithatë aktivistët tashmë një muaj e më shumë janë duke qëndruar në bllokadë dhe nuk janë duke u tërhequr nga kërkesat”, pohojnë organizatorët. Kërkesa kryesore e tyre mbetet që deponia Rusino të dislokohet dhe të ndërtohet një deponi tjetër moderne. Kërkesa e tyre deri më tash ka hasur në vesh të shurdhër ngase nuk është bërë asnjë hap konkret që të gjendet zgjidhje për mbeturinat e rajonit të Pollogut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat