Gostivar, shtëpia shekullore e trashëgimisë kulturore drejt rrënimit, rrezikon banorët

Gostivari

Gostivar, shtëpia shekullore e trashëgimisë kulturore drejt rrënimit, rrezikon banorët

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 17:18
Shtëpia shekullore e trashëgimisë kulturore drejt rrënimit

Braktisja dhe mungesa e investimeve kanë bërë të një shtëpi shekullore në pjesën qendrore të qytetit të Gostivarit të rrezikojë shembjen. Sakaq problemi nuk përfundon këtu pasi shembja e saj do kishte pasoja fatale edhe për shtëpitë për rreth dhe banorët e rrugës “29 Nëntori”.

"Për shkak të neglizhencës së institucioneve, kjo shtëpi shekullore rrezikon jetesën e banorëve në rrugën “29 Nëntori”. E ndodhur në zemër të Gostivarit, në të ndër vite nuk jeton askush, ndërsa pos rrezikut të banorëve, ajo do të humb edhe vlerën e saj si trashëgimi kulturore. Për shkak të reshjeve të shiut dhe tërmetit i cili u ndje së fundmi edhe në Gostivar, një pjesë e saj është shembur, thotë Besim Ilazi.

“E kemi kërkuar para dy viteve, atëherë z. Taravari e rregulloi rrugën dhe na tha se nuk ka mundësi pasi është në mbrojtje të kulturës dhe ne shkuam bëmë lutje te Ministria e Kulturës. Por që atëherë kanë kaluar dy vite dhe tani pasi ra shi dhe kaloi një tërmet, ajo ra. Dje isha te komuna dhe bisedova me sekretarin. Ne nuk kërkojmë asgjë më tepër pos sanimit. Le ta kërkojnë pronarin dhe nëse ai nuk e rregullon, komuna dhe institucionet tjera duhet ta zgjidhin këtë problem. Kishte një rast kur jetoja në Sarajevë, pas luftës, ra një tjegull dhe vrau një grua, pastaj e prishën shtëpinë, mos ndodhe edhe këtu e njëjta gjë. Ne kërkojmë të shkohet te pronarët e pastaj ose le ta rregullojnë ose le ta rrëzojnë”, deklaron Besim Ilazi, banorë.

Banorët theksojnë se i dinë pronarët e kësaj shtëpie dhe kanë kërkuar nga ata të marrin masa, por veprim konkret siç nuk ka nga institucionet, nuk ka as nga pronarët. Hadis Deralla, një tjetër banorë i kësaj rruge, thotë se pronarët jetojnë diku tjetër dhe asnjëherë nuk i kanë parë as për vizitë të vijnë te shtëpia.

“Kjo shtëpi ekziston që moti, dikush e ka blerë por nuk interesohet për të, nuk vjen ta vizitojë. Ju e shihni vetë se si është, mos dhashtë Zoti edhe një veturë të kaloje diçka mund të ndodh”, deklaron Hadis Deralla, banorë i rrugës “29 Nëntori”.

Sekretari i Komunës së Gostivarit, Nazmi Jusufi përmes telefonit na tha se nuk mund të veprojnë pa lejen e Qendrës për Konzervim, pasi shtëpia është vendosur në trashëgiminë kulturore të qytetit.

“Dje kam biseduar me banorët, e dimë rastin. Shtëpia përbën rrezik një kohë të gjatë për çka ne si komunë pasi kuptuan se është vendosur në trashëgimi kulturore, deri më tani kemi dërguar dy kërkesa deri te Qendra për Konservim në Gostivari. Presim përgjigje nga atje nëse ata do ta rregullojnë ose do të na lejojnë të marrim masa ne që e njejta të prishte”, deklaron për TV Globi, Sekretari i Komunës së Gostivarit, Nazmi Jusufi.

Nga Qendra për Konzervim theksuan se kanë dalë në terren për të konstatuar gjendjen faktike. Ata thonë se ekipi profesional i formuar enkas për këtë rast ka konstatuar se nga të reshurat e shiut është e shembur një pjesë e objektit edhe atë njëri skaj i përdhesës, në anën e rrugës. Nga ajo që kanë konstatuar është se objekti tani përbën rrezik për banorët e lagjes dhe kalimtaret.

“Qendra për Konservim Gostivar do të respektoj procedurat e nevojshme dhe do ta informoj Drejtorin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore dhe Inspektoratin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore në Shkup, ku ato do të duhet të dalin në teren për ta konstatuar gjendjen dhe të merren masat e nevojshme për zgjedhjen e problemit. Deri në zgjedhjen e problemit i lusim banoret dhe kalimtaret që të kenë kujdesë dhe ti shmangën asaj rrugice”, thuhet në kumtesën me shkrim nga I.N. Qendra për Konservim Gostivar.

Derisa institucionet së bashku me dy pronarët të merren vesh, kjo shtëpi pos humbjes së vlerës kulturore, për dikë mund të jetë fatale.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat