Gostivar, çitë nga 50-60 fëmijë kërkojnë ndihmën e mjekut

Gostivari

Gostivar, çitë nga 50-60 fëmijë kërkojnë ndihmën e mjekut

Më: 19 janar 2022 Në ora: 20:08
Foto ilustrim

Rreth 2.200 fëmijë të prekur nga gripi janë trajtuar në repartin pediatrik pranë spitalit të Gostivarit për periudhë kohore prej një muaj e gjysëm, konkretisht nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar e deri më sot. Shefi i këtij reparti, mjeku specialist i pediatrisë, Visar Muça thekson se viroza e stinës te fëmijët fillon nga nëntori dhe zgjat deri në fund të marsit. Por, piku thotë ai, është pikërisht gjatë kësaj periudhe dhe krahasuar me vitet e kaluara, sivjet numri i fëmijëve të prekur nga gripi, ka shënuar rritje. Rastet më të zakonshme janë me pneumoni dhe bronko-pneumoni, ndërsa rasti më i rëndë gjatë kësaj periudhe ka qenë trajtimi i një fëmije për tre javë nga infeksioni në mushkëri.

“Tashmë jemi në pikun e gripit, gjë e cila manifestohet me një numër të madh të pacientëve, gjegjësisht kontrolleve të shumta. Gjatë muajt dhjetor, apo brenda ditës për 24 orë, kemi patur diku nga 50-60 kontrolle në ditë. Muajin dhjetor e kemi mbillur me diku 1.500 kontrolle. Ditëve të fundit ka shenja të përmirësimit të gjendjes, por në krahasim me vitet tjera, këtë vit gripi ka një vrull më të madh”, deklaron Visar Muça, shef i repartit pediatrik në Gostiva.

Fëmijët ndryshe nga të rriturit, janë më infektues dhe më transmetues të gripit. Një ndër arsyet kryesore të kësaj është se fëmijët kanë imunitet më të dobët, thotë Muça. Për këtë, sqaron ai, edhe kohëzgjatja e simpotmave në krahasim me të rriturit, te fëmijët zgjat më shumë.

"Normalisht gripi te fëmijët zgjatë mesatarisht 5-7 ditë, por kur kemi komplikime shkon dy deri në tre javë ku simptomë më të shpeshtë të gripit te fëmijët e hasim temperaturën e lartë me mbi 38 e cila fillon në çdo katër, gjashtë apo dymbëdhjetë orë. Simptomat e tjera të përgjithshme janë: dhimbje fyty, dhimbje të gjymtyrëve dhe trupi, disa fëmijë më të mëdhenjë me moshë mbi tetë vite paraqesin edhe kokëdhimbje, pastaj sekret nga hundët, humbja e oreksit, plogështi, lodhje”, deklaron Visar Muça, shef repartit pediatrik në Gostiva.

Gripi, thekson mjeku pediatër Visar Muça, është infeksion virusal dhe dhe nuk trajtohet me antibiotikë.

“Trajtimi i gripit varet nga vetë paraqitja e simptomeve dhe kur flasim për fëmijët që kanë simptoma të gripit, u jepet terapi simptomatike me ‘Paracetamol’ dhe ‘Ibuprofen’ nëse fëmijët kanë temperaturë të lartë apo dhimbje muskulare, të trupit dhe kokës. Mandej shkohet me terapi lokale për kollë e cila duhet të zgjasë diku pesë ditë dhe e cila në fillim është e thatë, por nëse vazhdon sëmundja atëherë mund të kemi komplikime dhe kalon në kollë të lagët. D.m.th. pa antibiotikë dhe shfrytëzojë rastin të bëjë apel deri te prindërit dhe mjekët amë mos japin me vetëiniciativë antibiotik dhe assesi preparata apo sirupe për kollitje, sidomos te fëmijët ndër moshën tre vjeçare. Ndërsa, te rastet ku kemi komplikime dhe kohëzgjatja e simptomave kalon mbi shtatë ditë, komplikimet mund të jenë të ndyshëm, te sytë, infeksione të veshit dhe traktit respirator, gjegjësisht të mushkërive. Në këto raste në kombinim me laboratorinë me analiza të gjakut dhe kemi vlera të rritura inflamatore, atëherë trajtimi fillon me antibiotikë”, deklaron Visar Muça, shef repartit pediatrik në Gostiva.

Ai apelon kur ajri është i ndotur, fëmija të mos dalë jashtë pa nevojë.

“Ndotja e ajrit është nga shkaqet kryesore, sidmos edhe për transmetimin e sëmundjeve, por edhe për vetë arsyen e vetë sëmundjes sidomos te fëmijët. E ceka më herët se fëmijët e kanë imunitetin më të dobët dhe janë më të ndjeshëm në çdo lloj infeksioni. Në gjithë botën por edhe këtu te ne ndotja e ajrit sidomos dimrit është më e lartë dhe normalisht se ndikon në shëndetin e fëmijëve, sidomos ndikon te sëmundjet respiratore te fëmijët ku më infektuese dhe më ngjitëse është gripi”, deklaron Visar Muça, shef i repartit pediatrik në Gostivar.

Muça rekomandon që fëmijët e sëmurë nga gripi të izolohen në shtëpi dhe mos dërgohen në kopësht apo shkollë, pasi shumë lehtë mund ta transmetojnë sëmundjen te fëmijët e tjerë. Apelon për higjientë të lartë dhe konsumim të sa më shumë ushqimeve dhe lëngjeve të pasura me vitamina dhe minerale.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat