Motrat me vëlla në të njëjtin sport, familje sportistësh në Vushtrri!

Hendboll

Motrat me vëlla në të njëjtin sport, familje sportistësh në Vushtrri!

Nga: Kemajl Goca Më: 4 janar 2019 Në ora: 10:15
Ilustrim

Hendbolli iu fle shumë në zemër familjes Gubetini, që jeton e vepron në Vushtrri. Të gjithë merren me hendbollin! Fatmir Gubetini është prind i Labinotit, Blerinës dhe Rinës. Labinoti është 20-vjeçar dhe paraqitet për ekipin e Dritës nga Gjilani për seniorët dhe pritet të kthehet në Vushtrri, si dhe është pjesë e kombëtares së Kosovës U-21, ndërsa Blerina është 18-vjeçare dhe është portiere e ekipit te senioret e Vushtrrisë dhe Rina ka 17 vjet, luan për kadetet e Vushtrrisë dhe pritet shumë shpejt të ftohet në kombëtaren e Kosovës U-17.  Fatmiri thotë se është krenari kur i sheh të gjithë fëmijët e tij në të njëjtin sport dhe secili me ambicie të mëdha. Ndërkaq, Fatmiri është krenarë që ka qenë themelues i grupit të tifozëve më të flaktë në Kosovë, “Forca”. “Të jesh prind i fëmijëve sportistësh, sigurisht është edhe krenari për mua dhe gjithë familjen, sepse përveç që luajnë për Vushtrrinë janë edhe reprezentues të Kosovës”, tha Fatmiri për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Image

Fatmir Gubetini

Labinoti është përplot vullnet, me synime që të arrijë sa më shumë në karrierën sportive. “Meqë vetë babai im, Fatmiri, ka filluar të merret me këtë sport qysh moti, kur unë isha vetëm 12 vjeç, e shoqëroja në çdo ndeshje që mbahej në Vushtrri. Në atë kohë as që mendoja të merresha ndonjëherë me hendboll, por çdo vit e më shumë teksa përcjellja ndeshjet, adrenalina, loja e mirë, shkathtësitë që posedonin lojtarët më bënin përherë e më kurioz që ta provoja edhe vetë. Kur i mbusha 14 vjet mora edhe pëlqimin e babait dhe fillova të stërvitesha e të luaja me klubin hendbollistik KH Kosova në Vushtrri që sot mban emrin tjetër KH Vushtrria”, thotë Labinoti. Ai luan në pozitën e alos së djathtë dhe pretendon të luajë edhe jashtë Kosovës. “Si çdo lojtar tjetër edhe unë si ambicioz dhe i motivuar synoj në nivelet e larta të hendbollit. Të njihem ndërkombëtarisht për lojën e shkathtësitë e mia, të luaj në ndonjë klub evropian (preferencat: Gjermani, Norvegji, Suedi)”, theksoi ai.

Image
 

Labinoti

Labinoti është i lumtur që luan për kombëtaren e Kosovës U-21: “Të isha pjesë e Kombëtares së Kosovës ka qenë shumë ndjenjë e mirë për mua dhe me gjithë sukseset që kemi korrur deri më sot, kam shpresë dhe besoj se edhe viti 2019 do të na pres me suksese të tjera. Vlen të theksohet se në prill të vitit 2019 do të marrim pjesë në kualifikimet Interkontinentale për Kampionatin Botëror të hendbollit, që do të mbahet gjatë verës në Spanjë. Secili prej lojtarëve kemi shpresë se kualifikimi do të jetë i mundur, do të bashkohemi të gjithë, si kurrë më parë për ta arritur edhe këtë sukses”.

Me kushtet është i kënaqur, ndërsa detyrë e tij është të jap maksimumin. “Jam i kënaqur deri në një masë duke i pasur gjithmonë parasysh kushtet që i ofrohen klubeve tona. Por, me punën që ka bërë dhe po bën Federata e Hendbollit të Kosovës po na ndihmon të besojmë se hendbolli në shtetin tonën do të zhvillohet më shumë dita ditës dhe secili sportist do t’i ketë kushtet që nevojitet”, ka thënë hendbollisti. Më tutje ka thënë: “Meqë deri në sezonin pranveror kam qenë pjesë e Klubit Drita dhe duke falënderuar kryetarin Luan Sllamniku, i cili e ka bërë më të lehtë qëndrimin tim në këtë klub”. Cilat skuadra i sheh rivalë kryesor në pjesën pranveror? “Si rivalë kryesor të këtij sezoni i shoh KH Besa Famgas dhe Kastriotin”, përgjigjet ai. Tifozët “Forca” janë edhe frymëzim për Labin. “Klubi i tifozëve ‘Forca’ ka qenë gjithmonë në mbështetjen tonë dhe unë personalisht e ndjej gjithmonë prezencën e tyre në sallë dhe ndjehem dyfish më i frymëzuar për lojë kur janë aty. Ata janë gjithmonë lojtari ynë i 8-të në fushë”, nënvizoi Labinoti. Mbi të gjitha ka përkrahjen e madhe të prindërve.

Përkrahja e prindit pa dyshim që është e pranishme dhe aktive gjithmonë, që nga dita e parë si lojtar i hendbollit, në çdo lojë, në çdo aktivitet. I falënderohem shumë dhe i jam mirënjohës gjithë jetën”, ka thënë Labinoti. Hendbollistija Rina premton angazhim maksimal dhe të përsoset sa më shumë në këtë lojë. “Babai im merret me këtë sport rreth 14 vite, ai shikonte vazhdimisht ndeshjet e Kampionatit Botëror dhe mënyra si luanin lojtarët me aq shumë pasion më shtyu që të merrem edhe unë me hendboll. Si çdo lojtar/e edhe synimi im është të arrij diçka më shumë jashtë shtetit, tani për tani pres ftesën e kombëtares së Kosovës U-17 dhe të tregoj vetën se çfarë jam e gatshme të bëj”, tha Rina.

Image

Rina

Sa i përket kushteve, Rina thotë: “Të gjithë e dimë se me çfarë kushte përballemi në shtetin tonë sigurisht që s'jam aq e kënaqur por duke marr parasysh se asnjë sport në Kosovë nuk i plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme pra e gjitha çfarë duhet të bëjmë sportistët është të vazhdojmë të luajmë me shumë vullnet e dëshirë dhe të çojmë vendin tonë përpara”. Rina flet edhe për rivalet në kampionat: “Unë luaj për kategorinë U-17 në ekipin KH Vushtrria dhe rivale kryesore këtë sezon kemi ekipin nga Gjakova, Shqiponja dhe Istogun, por besoj shumë në vete dhe në ekipin tim, premtojmë lojë serioze dhe shpresoj fitore të bindshme”, theksoi ai.

Edhe Rina si Labi mendon se ka mbështetjen e fuqishme nga ‘Forca’ dhe prindërit. “Forca është lojtari ynë i 8-të, prezenca e tyre në ndeshjet tona na jep aq shumë motiv dhe i falënderoj shumë për përkrahjen e tyre të vazhdueshme. Përkrahjen e prindit e kam maksimalisht  pasi që është vetë ai që më ka frymëzuar të merrem me këtë sport”, tha Rina.

Blerina është portiere që premton shumë dhe ka një dashuri të madhe për hendbollin. “Dashuria për hendbollin lindi duke shikuar hendboll në televizion me motrën, babain, duke shikuar ndeshje të ndryshme. Po ashtu më nxiti për këtë sport portierja Tessie Wester nga Holanda, portierja më legjendare në botë, por më nxiti edhe babai im që përcjell hendbollin qe shumë vite. Synoj të bëhem një portiere e suksesshme dhe e talentuar. Në Kosovë nuk kemi aq shumë kushte sa duhet të jenë në hendboll, asnjë hendbollist/e nuk është i kënaqur me këto kushte, shpresoj që kushtet të përmirësohen më shumë dhe të jemi të kënaqur”, thotë Blerina.

Image

Blerina

Vushtrria është në luftë për titull, e cila renditet në vend të dytë me 16 pikë, sa ka edhe liderja Istogu. “Në stinën pranverore rivale më shumë e shoh skuadrën e Istogut. Publiku ‘Forca’ më motivon në çdo ndeshje jo vetëm në ato ndeshje që i kemi të rëndësishme  por edhe te ato të cilat nuk i kemi të rëndësishme dhe të vështira”, përfundoi Blerina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat