Muqolli: Problemi më i madh është Kastrioti!

Hendboll

Muqolli: Problemi më i madh është Kastrioti!

Nga: Kemajl Goca Më: 4 janar 2019 Në ora: 18:36
Arben Muqolli

Arben Muqolli si problem e sheh Kastriotin e Ferizajt dhe assesi Prishtinën! Trajneri i kampionit në fuqi, Besa Famgas nga Peja, Muqolli, tërë fokusin e ka që të përgatis ekipin sa më mirë në luftë për titullin e kampionit dhe për Kupën e Kosovës.  Muqolli tha se ka një ekip me lojtarë të ri, por edhe disa me përvojë siç është Ante Kukrika.

Sipas tij, nuk janë në negociata me asnjë hendbollist të jashtëm deri me tash. “Me 13 janar i nisim përgatitjet, ndërsa sa i përket përforcimeve ende nuk kemi diçka konkrete, por që pritet të marrim dikë! Realisht nuk jemi në negociata me ndonjë hendbollist. Kohën e fundit kemi pasur disa lojtarë të lënduar dhe po shpresoj se ekipi do të jetë i kompletuar deri në ditën e fillimit të përgatitjeve. Me lëndime serioze kanë qenë Egzon Gjuka, Jon Muqolli, Kastriot Jupa, Yll Muqolli, Korab Tetova etj. të cilët janë në tretman dhe besoj se deri me 13 janar do të janë të gatshëm, me përjashtim të Yllit që mund të mbetet jashtë edhe për një kohë”, thotë Muqolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Kastrioti është kampion vjeshtor me 26 pikë, aq pikë ka edhe Besa Famgas, që renditet në vend të dytë, kurse Prishtina është në pozitën e tretë me 24. Muqolli mendon se i vetmi rival në garë për titull është Kastrioti, kurse Prishtina nuk ia mbush syrin. “E shoh problemin me Kastriotin në luftë për titull. Besa dhe Kastrioti janë pretendentë për titull, kurse Prishtina ka ekip solide por e kanë të vështirë me ne dhe Kastriotin.

Nuk e di a do të jetë i njëjti ekip Kastrioti sikurse në vjeshtë, apo do të përforcohet, por besoj se gjithçka do të dihet nga mesi i muajt janar”, tha trajneri pejan.  Muqolli ka kujtuar se humbja në vjeshtë nga Prishtina më shumë kishte ardhur si rrjedhojë që patën disa lëndime por edhe dy ndeshje të forta! “E kemi vetëm Ante Kukrikën prej lojtarëve me përvojë, për mi ndihmuar lojtarëve të rinj. Kemi pasur disa ndeshje të vështira, si me Kastriotin në kampionat,  po ashtu edhe me ekipin norvegjez Drammen HK në garat evropiane, ku të dy ndeshjet i fituam. Dy ndeshje të forta dhe patëm lëndime, për këtë arsye pësuam edhe disfatë nga Prishtina.

Por ne problemin e kemi me bankën, e cila nuk është e fortë, sepse ndonjë lëndim siç e kishim Jonin, Egzonin e Kastriotin në ndeshjen me Prishtinën, edhe ndikoi që të humbim, sepse ishin mungesa të mëdha”, theksoi ai. Muqolli tha se gjërat sa i përket luftës për titull mund të qartësohen pak a shumë edhe në javën e 16-të të kampionatit: “Ndeshjen e dytë e kemi në Ferizaj me Kastriotin, ku do të shihet më së miri edhe situata, edhe pse kjo ndeshje nuk do të vendos. Pas kësaj ndeshje derbi, janë edhe dy ndeshje tjera me Kastriotin. Ne do të luftojmë deri në fund në mbrojtjen e trofeve”. A kemi cilësi më shumë se vitet tjera?

“Ndoshta ne u dobësuam dhe mbetem me lojtarët vendorë me përjashtim të Kukrikës, pasi që Goran Biljaka nga lojtarët me të mirë në pesë vitet e fundit u larguan së bashku me Tarik Mengjiq, po vërehet se cilësia u ngrit te Kastrioti dhe Prishtina është mirë, jo si vitin e kaluar. Normalisht ka një ngritje por ende nuk jam i kënaqur, ka nevojë që ekipet të janë më të forta, apo ashtu disa prej tyre të fillojnë përforcimet me lojtarë nga jashtë, kur dihet se tregu vendorë është shumë i varfër”, përfundoi Muqolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat