Elma premton

Hendboll

Elma premton

Më: 22 janar 2019 Në ora: 12:54
Elma premton

Hendbollistja nga Gjakova, Elma Kameri për herë të dytë rresht është shpallur lojtarja më e mirë e vitit në hendbollin kosovar. Në ceremoninë e mbajtur të hënën, Kameri është shpallur hendbollistja më e mirë për vitin 2018. Kameri luan në pozitën e bekut të majtë, ndërsa ka shkëlqyer gjatë vitit 2018 me petkun e Istogut. Istogu në vitin më të suksesshëm në histori të klubit, ka fituar Kupën e Kosovës, që është trofeu i parë. Poashtu udhëheq në tabelë pas stinorit vjeshtor me pikë të barabarta me Vushtrrinë. 
Në skenën evropiane Istogu poashtu është paraqitur me sukses. Ka kaluar skuadrën italiane Cassano Magnago në raundin e tretë të Kupës Sfiduese dhe tani do të paraqitet në një të tetën e finales. Për të gjitha këto sukese, Elma Kameri është ndër më meritoret.Në ndeshjen e parë ndaj italianeve realizoi gjashtë gola, ndërsa në të dytën plot 10. Kështu 21-vjeçarja me plot meritë është shpallur hendbollistja më e mirë e vitit. Ajo kishte ndeshje të mira edhe me kombëtaren e Kosovës. 
Edhe me Istogun e edhe me kombëtaren, është shquar për angazhim, efikasitet dhe kontribut për ekipin. Prej Elmës pritet edhe më shumë, ndërsa ajo është e nderuar që është shpallur më e mira e vitit, për herë të dytë.
“Viti 2018 ka qenë i suksesshëm si për skuadrën ashtu edhe për kombëtaren. Edhe për mua personalisht ishte një vit i suksesshëm. Po ndjehem e nderuar që e kam fituar këtë çmim në mesin e gjithë këtyre hendbollisteve cilësore”, ka thënë Kameri. Ajo ka premtuar se do të vazhdojë të jap maksimumin si për Istogun ashtu edhe për kombëtaren e Kosovës. Menjëherë muajin tjetër Istogun e presin dy ndeshje të vështira në Spanjë.
“Do të jetë vështirë por me rëndësi është të japim maksimumin dhe të prezentojmë hendbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka theksuar Kameri, që për shumë vite jep kontribut të çmuar në hendbollin kosovar. Ajo ka zënë vend në përbërjen më të mirë të vitit, ndërsa ka një dedikim për çmimin e lojtares së vitit.
“Çmimin ja dedikoj familjes që më ka përkrahur gjatë tërë karrierës e poashtu trajnerit Faruk Shala që jep kontribut të madh për skuadrën”, ka thënë Elma Kameri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat