Mbahet mbledhje komemorative për ikonën e hendbollit ferizajas, Skender Sahiti

Hendboll

Mbahet mbledhje komemorative për ikonën e hendbollit ferizajas, Skender Sahiti

Më: 22 janar 2019 Në ora: 13:37
Agim Aliu

Paraditen e sotme, në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, në organizimin e Klubit të Hendbollit “Kastrioti” meshkujt dhe mbështetjen e Komunës së Ferizajt, u mbajt mbledhje komemorative në përkujtim të jetës, kontributit dhe veprës së ikonës së hendbollit ferizajas, Skender Sahiti, i cili dje në moshën 63 vjeçare ndërroi jetë.

Në fjalën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu çmoi lartë kontributin e Sahitit në zhvillimin e sportit ferizajas, veçanërisht hendbollit, duke theksuar se i ndjeri ishte fytyra më e mirë e Borcit të Ferizajt, klubit që bëri historinë jashtë kufinjve tanë territorial, si dhe sportist e trajner i përmasave ndërkombëtare.

“Ferizaj është qendra sportive më e madhe në vend, që ka arritur për dekada me radhë të nxjerr sportistë elitar. Kjo e dhënë tregon mishërimin që ka ky qytet me sportin e në veçanti me sportistët që reprezantuan më së miri frymën e këtij qyteti. Të tillë i kishim edhe Sheqer Shllakun, Mehdi Jashari, Gani Malokun e Isuf Bytyqin. Me dhembje e trishtim në zemër, të pafuqishëm për t’i bërë ballë vdekjes, humbëm dje edhe hendbollistin elitar, portierin e klubit të famshëm ferizajas Borci, trajnerin e përmasave ndërkombëtare, Skender Sahiti. Kjo humbje dhe humbjet e ikonave të tjera të sportit ferizajas, veç thellojnë dhembjen tonë dhe familjarëve, mirëpo lënë pas një trashëgimi të pasur sportive dhe emblemë sesi duhet ta duam sportin dhe të krijojmë e forcojmë klubet”, tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu, sipas njoftimit për media.

Edhe kryetari i Klubit të Hendbollit “Kastrioti” meshkujt, Lulzim Abazi mbajti një fjalë rasti para të pranishmëve në nderim të kontributit të hendbollistit legjendar ferizajas, Skender Sahiti, i cili ndërroi jetë pikërisht dje, në ditën kur po bëhej përzgjedhja e laureatëve të hendbollit për vitin 2018.

Me një fjalë rasti në këtë komemoracion të pranishmëve iu drejtua edhe Izet Gjinovci, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, i cili me dhembje e krenari kujtoi kohërat e arta ku hendbollisti Skender Sahiti shënoi suksese kulminante. Fare në fund të kësaj mbledhje komemorative, biri i të ndjerit, Skender Sahitit, Dion Sahiti falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë mbledhje komemorative, duke thënë se amaneti i prindit të tij do të mbahet mend gjatë në memorien kolektive dhe suksesshëm do t’i prijë zhvillimit të sportit.

Ceremonia e varrimit do të bëhet sot në vendlindjen e të ndjerit, në varrezat e fshatit Papaz. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat