I jepet lamtumira e fundit legjendës së Kosovës

Hendboll

I jepet lamtumira e fundit legjendës së Kosovës

Nga: K. G. Më: 22 janar 2019 Në ora: 19:24

Në praninë e shumë qytetarëve në fshatin Papaz të Ferizajt, i jepet lamtumira e fundit legjendës së hendbollit të Kosovës, Skënder Sahiti. Ai ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Në varrim morën pjesë figura të ndryshme sportive, politike e kulturore, duke e përcjellë ish portierin e mirënjohur të hendbollit për në banesën e fundit. Sahiti ka qenë prej portierëve më të mirë dhe mbrojti me shumë sukses ngjyrat e ish Borcit të Ferizajt, ku në vitin 1979 ishin edhe në finalen e madhe të Kupës së ish Jugosllavisë.

Image

Izet Gjinovci

Para varrimit, në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, në organizimin e klubit të hendbollit Kastrioti-meshkujt dhe mbështetjen e Komunës së Ferizajt, u mbajt mbledhje komemorative në përkujtim të jetës, kontributit dhe veprës së ikonës së hendbollit ferizajas. Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu çmoi lartë kontributin e Sahitit në zhvillimin e sportit ferizajas, veçanërisht hendbollit, duke theksuar se i ndjeri ishte fytyra më e mirë e Borcit të Ferizajt, klubit që bëri historinë jashtë kufijve tanë territorial, si dhe sportist e trajner i përmasave ndërkombëtare. “Ferizaj është qendra sportive më e madhe në vend, që ka arritur për dekada me radhë të nxjerr sportistë elitar. Kjo e dhënë tregon mishërimin që ka ky qytet me sportin e në veçanti me sportistët që reprezantuan më së miri frymën e këtij qyteti. Të tillë i kishim edhe Sheqer Shllakun, Mehdi Jashari, Gani Malokun e Isuf Bytyqin.

Image

Lulzim Abazi

Me dhembje e trishtim në zemër, të pafuqishëm për t’i bërë ballë vdekjes, humbëm dje edhe hendbollistin elitar, portierin e klubit të famshëm ferizajas Borci, trajnerin e përmasave ndërkombëtare, Skënder Sahiti. Kjo humbje dhe humbjet e ikonave të tjera të sportit ferizajas, veç thellojnë dhembjen tonë dhe familjarëve, mirëpo lënë pas një trashëgimi të pasur sportive dhe emblemë sesi duhet ta duam sportin dhe të krijojmë e forcojmë klubet. Ferizaj ishte dhe mbetet kampioni i sportit të hendbollit, për të cilën një kontribut të çmueshëm dha edhe Skënder Sahiti. Kur po hidheshin themelet e sportit ferizajas, ishte pikërisht Skënder Sahiti dhe gjithë ikonat tjera që Ferizaj i ka rezervuar një vend fisnik në historinë e tij, ata të cilët nuk kursyen fare, as djersën, as veten dhe as familjet e tyre për t’i dhënë sportit atë që të gjithë synojnë rezultatet më të larta. Shpirti i rinisë ferizajase, është ndërthurur dhe shtresuar me këto ikona, të pavdekshme në memorien tonë kolektive dhe jashtëzakonisht të çmuara lartë në arenën lokale dhe më gjerë.

Skënder Sahiti ishte fytyra më e mirë e Borcit të Ferizajt, klubit që bëri historinë jashtë kufijve tanë territorial. Ai ishte kurdoherë i gatshëm që të vë në shërbim zhdërvjelltësinë e tij, talentin e lindur sportive dhe guximin e pashoq për të hapëruar suksesshëm në sfidat e radhës. Pastë dritën e parajsës shpirti i tij! Ngushëllime”, tha i pari i Ferizajt, Aliu. Edhe kryetari i klubit të hendbollit Kastrioti – meshkujt, Lulzim Abazi mbajti një fjalë rasti para të pranishmëve në nderim të kontributit të hendbollistit legjendar ferizajas. “Është një ditë zie për sportin lokal! Pikërisht në ditën e përzgjedhjes së laureatëve të hendbollit për vitin 2018, ne, humbëm ikonën e zhdërvjelltësisë, shpirtit luftarak e kolektiv të gjigandit të hendbollit ferizajas, Skënder Sahiti. Sëmundja sfidoi Kenon shpeshherë mirëpo kësaj radhe, na mori përjetësisht zërin e motivimit dhe ekzemplarin e punës së palodhshme sportive për të arritur suksese kulminante me klubin emblematik të sportit lokal KH Kastrioti dhe dikur të Borcit famoz.

Image

Agim Aliu

Vdekja e parakohshme ka lënë boshllëk të madh, hendbollisti elitar, trajneri i emblemës së sportit ferizajas, KH Kastrioti, portieri i Borcit famoz, sportisti i rangut ndërkombëtar Skënder Sahiti do të rroj gjatë në kujtesën e gjithësecilit prej nesh por edhe në historinë e lavdishme të sportit ferizajas. Fjalët janë të varfra për të përshkruar sadopak shpirtin luftarak e zhdërvjelltësinë e pashoq të mikut tonë dhe gjithë sportit ferizajas e më gjerë, Skënder Sahiti. Salla nuk do të kumboj më zërin e tij, përplasjet e topit nuk kanë më fuqinë depërtuese në zemrën e tifozerisë e besnikëve të hendbollit ferizajas. Në emër të kryesisë së klubit KH Kastrioti - meshkujt, veteranëve të ish klubit Borci dhe gjithë sportdashësve besnikë të hendbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së respektuar Sahiti, Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe gjithë sportistëve dhe adhuruesve të sportit! U prehtë në paqe të përjetshme, shpirti yt guximtar Keno!” tha Abazi.

Image

Dion Sahiti

Me një fjalë rasti në këtë komemoracion të pranishmëve iu drejtua edhe Izet Gjinovci, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, i cili me dhembje e krenari kujtoi kohërat e arta ku hendbollisti Sahiti shënoi suksese kulminante. Fare në fund të kësaj mbledhje komemorative, biri i të ndjerit, Skënder Sahitit, Dion Sahiti falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë mbledhje komemorative, duke thënë se amaneti i prindit të tij do të mbahet mend gjatë në memorien kolektive dhe suksesshëm do t’i prijë zhvillimit të sportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat