Kolgeci: Jemi ndër klubet më të vjetra, orientimin e kemi nga të rinjtë

Hendboll

Kolgeci: Jemi ndër klubet më të vjetra, orientimin e kemi nga të rinjtë

Nga: Kemajl Goca Më: 30 janar 2019 Në ora: 18:49
Edi Kolgeci

Klubi me renome i hendbollit Prishtina (meshkuj) në mënyrë madhështore ka shënuar 65 vjetorin e themelimit të saj. Në 65 vjetor morën pjesë hendbollist e ish hendbollist të periudhave të ndryshme dhe personalitete të fushave të tjera. Kryetari i klubit Prishtina, Edi Kolgeci, tha se janë ndër klubet më të vjetra dhe mburret me të arriturat e këtij kolektivit në periudhat e ndryshme, pra nga vitet e 50-ta e këndej. Prishtina aktualisht është në vend të tretë me 24 pikë të mbledhura në Superligën e Kosovës dhe me synime që të luftojnë për trofe.   

“Bota sot”:  Prishtina feston 65 vjetorin, cila ishte e veçanta?

Edi Kolgeci: KH Prishtina, një ndër klubet sportive më të vjetra të Kosovës shënoi 65 vjetorin e klubit, që koincidoj edhe me 65 vjetorin e Federatës së Hendbollit të Kosovës. Kjo tregon se edhe funksionimi i hendbollit në Kosovë filloi edhe me klubin tonë. Deri më tani nuk është shënuar ndonjë datë jubilare si 50 vjetori. Ideja ishte që ta shënojmë këtë jubile dhe ti mbledhim shumicën e atyre që dhanë kontribut për KH Prishtinën. Isha i nderuar që pata mundësi që ti nderoj shumë nga veteranët dhe njerëzit që kontribuan. Njëkohësisht besoj që me këtë organizim është bërë një rifreskim dhe tërheqje e vëmendjes që ata të cilët e dojnë hendbollin dhe sportin të kontribuojnë më shumë që këtyre fëmijëve dhe djelmoshave të ju japim kushte dhe mundësi më të mira. E meritojnë me të vërtet. Besoj që shumica janë ndarë të kënaqur duke u bazuar në urimet dhe përgëzimet që mu dërguan. E veçanta ishte se aty patëm të pranishëm hendbollistë prej moshës 14-vjeçare deri në atë 85- vjeçare.

Image

“Bota sot”: Cilat janë synimet e Prishtinës për pjesën e dytë të kampionatit dhe a mendoni se Kastriotin dhe Besën do ta sfidoni deri në fund?

Edi Kolgeci: Jemi momentalisht në kreun e tabelës dhe jemi stabil si ekip. Ju e dini se jemi orientuar në të rinjtë dhe shumica e lojtarëve që luajnë në ekipin e pare janë 18-20 vjeç. Po ashtu jemi duke punuar shumë me pionierë dhe kadetë dhe besoj që të ardhmen e kemi të sigurtë. Sa i përket Besës dhe Kastriotit dhe buxhetit që e kanë, janë në përparësi momentalisht por ka kohë deri në play-off. Ne jemi një ekip e re dhe çka është më e rëndësishmja jemi shumë kompakt dhe ka harmoni tek djelmoshat. Tamam jemi si një familje me shumë optimizëm për të ardhmen.

“Bota sot”: Çfarë i duhet me shumë Prishtinës për pjesën e dytë të kampionatit?

Edi Kolgeci: Përveç buxhetit më të madh dhe më shumë sponsorëve nuk na duhet diçka më shumë. Kur e them buxhetin nuk e mendoj për luks por vetëm të ju përmirësojmë edhe pak kushtet këtyre djemve  të mrekullueshëm. Lojtarët i kemi dhe janë të aftë dhe shumë të motivuar. Kampionati vazhdon e ne jemi të gatshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat