Vashat e Kosovës pushtojnë Spanjën

Hendboll

Vashat e Kosovës pushtojnë Spanjën

Nga: Kemajl Goca Më: 31 janar 2019 Në ora: 19:16
Faruk Shala gjatë një këshille

Istogu është para sfidave të vështira në garat evropiane. Kampionia vjeshtore dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Istogu do të ndeshet me Rincon Fertilidad Malaga, në kuadër të tetës së finales së Challenge Cup në hendboll (femrat). Të dyja ndeshjet luhen në Malaga, e para me 2 shkurt (18.30) dhe sfida e dytë, me 3 shkurt (11.00). Vashat e Kosovës nesër nisen dhe do ta pushtojnë Spanjën. Trajneri i Istogut, Faruk Shala, shpreson në paraqitje dinjitoze.

“Bota sot”: Sa është i përgatitur Istogu kundër Malagës?

Faruk Shala: Istogu do t’i zhvillojë dy ndeshje kundër Malagës. Sa i përket përgatitjes së skuadrës nuk jam aspak i kënaqur për shkak se në këtë fillimvit jemi ballafaquar me probleme të shumta siç janë mungesa e hapësirës adekuate për stërvitje (salla), temperatura të ulëta që kanë mbretëruar në vendin tonë, ku salla ka qenë shumë e ftohtë, pastaj fondit të varfër të hendbollisteve, ngase siç dihet jemi pa 5 lojtare që mungojnë për shkak të lëndimeve dhe arsyeve të ndryshme si Fatlinda Fejza, Ketevan Venetski, pastaj Burneta Rama (e huazuar nga Vushtrria, tani e lënduar), Njomza Kelmendi e huazuar nga Vushtrria, por nuk mund të paraqitet dhe Arlinda Krasniqi që nuk është pjesë e klubit për arsye familjare. E gjithë kjo, e ka vështirësuar punën me klubin dhe ka bërë që përgatitjet të mos shkojnë ashtu siç e kam planifikuar, normalisht edhe pamundësisë për të transferuar ndonjë përforcim apo organizimin e përgatitjes jashtë vendit, në një palestër normale. E gjithë kjo i vështirëson në përgjithësi përgatitjet për këtë ndeshje.

“Bota sot” A ka gjasa për befasi?

Faruk Shala: Befasia më e madhe është kur nuk ka gjasa apo gjasat janë shumë të pakta, atëherë vërtet mund ti themi befasi.

“Bota sot”: Ku është arma më e rrezikshme e rivales?

Faruk Shala: Arma më e rrezikshme e rivales tonë është loja e tyre shumë e shpejt, karakteristikë e shumicës së skuadrave evropiane, andaj edhe kjo pritet për neve të jetë rreziku më i madh në këtë ndeshje. Shpresojmë që ta bëjmë të pamundurën që të ndalojmë lojën shumë të shpejt të rivales tonë.

“Bota sot”: A mendoni se jeni në presion, pasi që dy ndeshjet luhen në Malaga?

Faruk Shala: Fakti që të dy ndeshjet zhvillohen në Spanjë, është një përparësi për skundrën kundërshtare, sigurisht nuk është determinuese për fatin e ndeshjes, Ne më shumë jemi të përqendruar te skuadra jonë, vështirësive që i kemi për brenda skuadrës tonë, pastaj problemet tjera që parashihen të ballafaqohemi si rrugëtimi i gjatë për në Spanjë, prej një aeroporti në aeroport tjetër. E gjithë java ka shkuar duke e përgatitur dokumentacionin për viza, e cila na ka marr shumë kohë dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen e skuadrës, por që ne do të përpiqemi të japim maksimumin ton dhe të bëjmë më të mirën.

“Bota sot”: Sa ka gjasa për kualifikim?

Faruk Shala: Vërtet gjasat janë të pakta, ngase ne këto rrethana që u diskutuan me lart është vështirë që skuadrat tona të të gjitha sporteve me i tejkaluar disa runde të kupave të Evropës në këtë formë si funksionon sporti tek ne, përfshirë kushtet infrastrukturore dhe investimet në skuadër, njëjtë këta faktor na hendikepojnë  dhe na vështirësojnë mos të them që na e pamundësojnë me qenë konkurrent dhe me arrit që të zhvillojmë gjysmëfinale apo finalen të ndonjë gare europiane. Një kualifikim i mundshëm do të ishte mrekulli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat