Derbi i takon Kastriotit - Bota Sot
Derbi i takon Kastriotit

Hendboll

Derbi i takon Kastriotit

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 13:04
Pamje nga ndeshja

Kastrioti e ka fituar derbin e xhiros së 16-të dhe të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kastrioti e mposhti kampionin aktual, Besa Famgas me rezultat 20:17. Ndeshja e ka arsyetuar epitetin e derbit të madh. Në një atmosferë të mirë sportive, para afro 1500 shikuesve, vendasit kanë arritur fitoren e vlefshme. Ndeshja ishte shumë e fortë, e hapur deri në fund, ndërsa lojtarët dhanë më të mirën e momentit për të bërë paraqitje që i bënë nder skuadrave të tyre por edhe hendbollit në përgjithësi. 
Me fitore, Kastrioti është shkëputuar në vendin e parë me 30 pikë. Besa mbetet e dyta me 28 pikë, por deri në fund të kampionatit ka edhe përballje tjera mes këtyre dy skuadrave, por edhe me skuadrat tjera dhe gara për titull mbetet e hapur. 
Skuadrat kanë dhënë shumë sidomos në repartin defanziv, ndërsa te Kastrioti është dalluar portieri A. Curri, që ka bërë shumë pritje. Curri ka kaluar te Kastrioti në afatin e janarit dhe në derbi doli si përforcim mëse i qëlluar. Kontribut shumë të madh në fitore ka dhënë edhe beku dhe lojtari më i mirë i Kosovës për vitin 2018, D. Terziqi. Ai ka shënuar plot 11 gola, ndërsa në momentet e fundit ishte i pandalshëm me gola e asistime për bashkëlojtarët. Edhe gjithë të tjerët kanë dhënë kontribut në fitoren e Kastriotit. 
Besa në anën tjetër, ka pasur momentet e mira në ndeshje dhe ka dominuar në periudha të caktuara. Por paraqitja e pejanëve nuk ishte e mjaftueshme për fitore këtë herë. Kështu rezultati në përballjet direkte mes Kastriotit e Besës është 1:1, pasi pejanët kishin fituar në vjeshtë ndeshjen e luajtur në shtëpi. Ajo ishte humbja e vetme për Kastriotin, derisa Besa një disfatë e ka edhe nga Prishtina. 
Besa e hapi më mirë ndeshjen dhe në pjesën e parë ishte thuajse vazhdimisht në epërsi të lehtë. Vetëm në fund vendasit shënuan për epërsinë e parë, 8:7. Numri i golave dëshmon për paraqitjen e skuadrave me koncentrim në mbrojtje. Deri në minutën e 50-të rezultati ishte poashtu i ngushtë, ndërsa në minutën e 52-të Kastrioti u shkëput në dy gola, 16:14. Vetëm në minutat e fundit epërsia u ngrit në tri gola, 19:16 e në fund 20:17. 
Te Besa më efikasët ishin E. Gjuka e A. Kukrika me nga katër gola. 
 

Kastrioti – Besa Famgas 20:17 (8:7)
Kastrioti: Curri, Syla, B. Syla 2, Zherka, Dugolli, Prekazi 1, Terziqi 11, Shabani 2, Ramadani, Rudari, Mustafa 2, Rajatoski 2, D. Dugolli, Esati
Besa Famgas: B. Idrizi 3, Broqi, Gjuka 4, Jupa 1, Y. Muqolli, Tetova, D. Tahirukaj 2, Dr. Tahirukaj 1, Ramosaj 2, Kukrika 4, Bislimi, Çuziq, Tafilaj, J. Muqolli, Berisha, Mehmeti

Samadrexha – Zhegra 28:32 (11:18)
Samadrexha: Sh. Maloku, A. Maloku 10, Hyseni 4, Krasniqi, Sopjani, Bunjaku, A. Basholli, Jashari 6, K. Maloku 5, B. Maloku 1, S. Maloku 2 
Zhegra: L. Haziri, A, Isufi 3, Aliu 6, F. Isufi 5, M. Murseli, SHaqiri 8, Murseli, A. Haziri 10, Ibrahimi 

Drita – Drenica 21:29 (11:16)
Drita: Sylejmani, Latifi 2, Sllamniku 5, Veliu 3, Mehmeti 3, Musliu, Misini 8, Bunjaku, Tosku
Drenica: Mehmeti 8, TRhaqi, Haxhijaj 6, Haxhiu 1, Zariqi 1, Qorri 1, Klinaku 9, Muqolli, Lladrovci, Hasani 3.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...