Bota e gëzon Kosovën!

Hendboll

Bota e gëzon Kosovën!

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 10:53
Izet Gjinovci, Hassan Mousatafa e Eugen Saraçini

Nga një takim që drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) e patën të hënën me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), Hassan Moustafa, kanë dalë vendime shumë të rëndësishme për hendbollin e Kosovës në përgjithësi. Kështu Federata jonë ka arritur sukses të jashtëzakonshëm duke marrë të drejtën e organizimit të garës prestigjioze IHF Trophy Intercontinental. Në Prishtinë prej 9 deri më 15 prill do të mbahet faza interkontinentale e IHF Trophy për hendbollistët deri 19-vjet dhe për ata deri në 21-vjet. 
Ky sukses shumë i madh vjen për Federatën tonë pas organizimit të shkëlqyeshëm të IHF Trophy për Evropë (U-18, U-20) që u mbajt në Prishtinë muaj më parë. Të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse, por edhe zyrtarët e IHF-së e vlerësuan organizimin si shumë të mirë. Edhe vetë presidenti Moustafa ka lavdëruar FHK-në për atë organizim. Dhe kështu Kosovës i është besuar edhe organizimi I garës IHF Trophy në nivel Interkontinental.
Kjo vlerësohet me shumë rëndësi për faktin se hapet rruga që Kosova U-21 të marr pjesë në botërorin U-21 për hendbollistë që mbahet nga data 14-29 Korrik 2019 në Spanjë. Fituesi i IHF Trophy Intercontinental në grupmoshën U-21 kualifikohet për në Botëror. Ende asnjë kombëtare e Kosovës e sporteve kolektive nuk është paraqitur në botëror dhe hendbolli mund të jetë sërish i pari, si shumë herë deri më tani. 
Federatën tonë në takimin që u mbajtë në selinë e IHF-së në Basel të Zvicrës e prezentuan presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari gjeneral Izet Gjinovci. Prej IHF-së në takimin shumë miqësor ishin presidenti dhe miku i madh i hendbollit të Kosovës, Hassan Moustafa, Amal Khalifa, drejtor gjeneral, Patric Strub drejtor i garave dhe Hristo Boskoski, udhëheqës i zyrës. 
Presidenti Saraçini ka njoftuar presidentin Moustafa dhe drejtuesit e tjerë të IHF-së me zhvillimet e fundit në hendbollin kosovar, sukseset e arritura në skenën ndërkombëtare dhe planet për këtë vit. Presidenti Moustafa u njoftua edhe për shënimin e 65-vjetorit të FHK-së, ndërsa mikut tonë të madh iu dha edhe mirënjohja që iu kishte ndarë me këtë rast.
Është diskutuar edhe për gjëra tjera, por më së shumti për organizimin e IHF Trophy Intercontinental. Kosova rival të madh për organizimin e ngjarjes e kishte Paraguajin, por e fitoi të drejtën. 
Në takim Federatës tonë i është premtuar përkrahje nga IHF-ja për shkollim të trajnerëve e gjyqtarëve, ndërsa përkrahja nuk do të mungojë as në pajisje të ndryshme të hendbollit. IHF-ja do të përkrah FHK-në edhe për përmirësim të infrastrukturës dhe në aspekte tjera me rëndësi. 
Ishte ky një takim jashtëzakonisht i suksesshëm për Federatën tonë dhe ku edhe njëherë u konfirmuan raportet shumë të mira në mes të Federatës tonë dhe Federatës Ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat