Kosovës i është hapur rruga për sukses historik

Hendboll

Kosovës i është hapur rruga për sukses historik

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 10:56
Kosovës i është hapur rruga për sukses historik

Kombëtares U-21 të Kosovës në hendboll (meshkujt) të hënën i është hapur rruga për sukses historik, përkatësisht për të siguruar paraqitjen në kampionatin botëror që prej 16 deri më 28 korrik mbahet në Spanjë.
Në takimin që drejtuesit e Federatës tonë (presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari gjeneral Izet Gjinovci) e kishin me presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa, u vendos që IHF Trophy Intercontinental të organizohet në Prishtinë prej 9 deri më 15 prill. Kosova U-21 duhet të fitojë këtë garë dhe të sigurojë botërorin në Spanjë. Pra kombëtarja e drejtuar nga Fatmir Muhaxheri ka rast të artë që të bëhet e para prej të gjitha kombëtareve të sporteve kolektive të Kosovës që paraqitet në botëror. Tani ka mbetur që djelmoshat tanë të shfaqin vlerat në fushën e lojës. 
IHF Trophy Intercontinental do të mbahet për grupmoshën U-21 dhe atë U-19. IHF Trophy për Evropë ishte organizuar në Prishtinë dhe Kosova fitoi në të dy grupmoshat, U-20 e U-18. Kështu fitoi të drejtën të paraqitet në fazën Interkontinentale, por tani me U-21 e U-19, që i bie të jetë gjenerata e njëjtë. 19-vjeçarët nuk kanë mundësi për të shkuar në botëror, por e kanë rastin të fitojnë IHF Trophy Intercontinental që do të ishte sukses shumë i madh. Ndërsa për U-21 suksesi do të kishte vlerë historike. Ndeshjet e 21-vjeçarëve do të luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, ndërsa ato të 19-vjeçarëve në sallën 1 Tetori. 
Pos në Evropë, IHF Trophy është organizuar nga Federata Ndërkombëtare edhe në Afrikë, Azi, Amerikë të Veriut e Karaibe, Amerikë të Jugut dhe Qëndrore dhe Oqeani.
Kështu kundërshtarët e Kosovës U-21 në IHF Trophy Intercontinental do të jenë Nigeria, Taipei Kinez, SHBA-ja, Australia e Paraguaji. 
Te 19-vjeçarët pos Kosovës do të garojnë edhe Nigeria, Taipei Kinez, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Paraguaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat