Zherka: E paralizuam sulmin e Besës

Hendboll

Zherka: E paralizuam sulmin e Besës

Nga: Kemajl Goca Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 19:31
Verim Zherka

Tri skuadra janë në garë të fortë për titullin e kampionit në elitën e hendbollit të Kosovës (meshkujt). Kastrioti nga Ferizaj, aktualisht udhëheq renditjen me 30 pikë, ka dy më shumë se kampioni në fuqi Besa Famgas nga Peja dhe se Prishtina, e cila e mban pozitën e tretë pas 16 javëve të luajtura deri më tash. Në fundjavë përkatësisht të shtunën e 23 shkurtit, do të zhvillohet kryendeshja në Pejë mes Besës dhe Prishtinës, e cila pritet me kureshtje edhe nga Kastrioti, për faktin se kjo e fundit njërës do t’i ikë në katër pikë në vazhdim të kampionatit.

Kryetrajneri i Kastriotit, Verim Zherka, është i qetë dhe e shikon me kujdes kalendarin e ndeshjeve të radhës, duke pretenduar që të gjitha t’i fitojë deri në fund. Zherka vlerëson lartë fitoren e fundit, ndaj kundërshtarit direkt për titull Besës, të cilën e mundën me rezultat 20:17. 

Kryetrajneri ferizajas tha se asgjë nuk ka përfunduar por duhet që të përgatiten për sfidat e radhës, pasi që ka shumë ndeshje deri në fund.  Megjithatë, fitorja me tri gola dallim ndaj Besës i jep siguri të plotë për në vazhdim të kampionatit, sepse janë shkëputur në krye dhe shpresojmë të ruajnë këtë pozicion deri në fund të garave të rregullta, që të startojnë si të parët në garat e play-off-it.

“Bota sot”: Kastrioti triumfoi me 3 gola dallim (20:17) ndaj Besës, iu revanshuat për humbjen në Pejë me 21:19, a mendoni se +2 pikë para pejanëve është një përparësi psikologjike në vazhdim të kampionatit?

Verim Zherka: Po, pas një ndeshje shumë të fortë dhe shumë interesante arritëm ta mposhtim KH Besa Famgasin me rezultat  20:17 dhe tani prapë vazhdojmë me kryesim në tabelë dhe 2 pikë më tepër se Besa dhe Prishtina. Normalisht që jemi pak me të rehatshëm në aspektin psikologjik për në vazhdim të kampionatit.

“Bota sot”: Ku ishin pikat më të forta të kësaj fitore, çfarë iu shkoi mirë?

Verim Zherka: Pika më e fortë e ekipit në këtë ndeshje ishte mbrojtja jonë agresive dhe në një aspekt ne gjatë tërë ndeshjes e paralizuam sulmin e kundërshtarit. Por duhet të theksoj që edhe porta jonë ishte e sigurtë me mbrojtjet bravuroze të portierit tonë Arbër Currit.

“Bota sot”:  A mendoni se Kastrioti është i kompletuar apo ka pasur nevojë edhe për ndonjë përforcim?

Verim Zherka: T’ju them të drejtën ne si ekip kemi nevojë për një bankë të fortë, kemi nevojë që në ekip të ketë konkurrencë në çdo pozitë të lojës, sepse konkurrenca sjellë edhe kualitetin dhe disiplinën në ekip. Por për momentin që më së shumti kemi pas nevojë ishte një sulmues i jashtëm i djathtë (bek i djathtë) dhe sipas informacioneve që kam nga kryesia e klubit, pritet që gjatë kësaj jave të na vijë në ushtrimet provuese një përforcim nga jashtë.

“Bota sot”: A e sheh vetëm Besën si rival për titull apo jeni në presion edhe të Prishtinës?

Verim Zherka: Sa i përket rivalitetit dëshiroj të them që për mua të gjitha ekipet janë rival. Nuk është në natyrën time të të bëjë nënçmime sepse ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të kampionatit. Për neve është shumë më rëndësi se si do të përfundojë ndeshja e kësaj jave që luhet në Pejë në mes të Besës dhe Prishtinës. Sepse ajo ekip që do të pësoj disfatë atëherë ne asaj ekipe do t’i ikim 4 pikë. Por prapëseprapë dëshiroj të ceki se play-off-i do të jetë ajo më e rëndësishmja (final 4). Dhe se qëllimi im është që ekipin tim të përgatisë dhe të komponoj për këtë fazë të garës, pra për finalet.

“Bota sot”:  A kemi rritje të nivelit në përgjithësi të ligës apo është ngjashëm si ai i edicionit të kaluar?

Verim Zherka: Sa i përket nivelit të garave, t’ju them të drejtën nuk po shoh ndonjë ngritje që mund të dallohet nga viti kaluar, të njëjtit lojtarë por nëpër klube të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat