Shala: Rivale e kemi Vushtrrinë

Hendboll

Shala: Rivale e kemi Vushtrrinë

Nga: Kemajl Goca Më: 5 mars 2019 Në ora: 10:25
Faruk Shala

Fituesja e Kupës së Kosovës, Istogu, e ka filluar fuqishëm pjesën e dytë të kampionatit,  duke e mposhtur me rezultat 40:16 ekipin e “Jusuf Gërvallës”, në kuadër të javës së 10-të.

Liderja e Superligës (femrat) në hendboll beson e shpreson se pozitën e parë nuk do ta lëshojnë deri në fund të garave të rregullta dhe në fund të shpallen kampione të Kosovës, për herë të parë në histori të qytetit të Istogut. Faruk Shala, kryetrajner i Istogut, është i kënaqur me potencialin që ka të hendbollisteve dhe është optimist se do të arrijnë objektivat.

Istogu prinë me 18 pikë, sa ka edhe Vushtrria në vend të dytë në renditje. Ai tha se nuk mendon se janë të pa konkurrencë. “Nuk mendoj që jem të pa konkurrencë, por sido qoftë forca e vërtet e skuadrës së Istogut do të shihet në dy javët e ardhshme kur skuadra të jetë e kompletuar.

Ndeshjen e parë e kemi zhvilluar në mungesë të disa lojtareve por që ndeshjet në vazhdim do të janë të kompletuar dhe do të shihet potenciali ynë i vërtet”, tha Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”. Si e sheh rivalitetin për titull dhe mes cilave skuadrave?

“Pa dyshim që rival kryesor do të jetë Vushtrria që ka skuadër me përvojë dhe tifoz të jashtëzakonshëm, si dhe një klub me traditë. Prishtinën e shoh njërin nga rivalet kryesore dhe natyrisht kampionen aktuale Shqiponjën”, ka thënë ai. Shala nuk e pranon se janë më të fortë, sepse kanë disa mungesa: “Kjo nuk mund të thuhet që jemi më të fortë, ngase kemi humbur disa hendbolliste si pasojë e lëndimeve dhe obligimeve personale, që natyrisht do të na mungojnë në pranverë, por që pozitiv është fakti që nuk kemi pas pauzë këtë vit dhe vazhdimisht skuadra ka ushtruar.  Mendoj që jemi me të përgatitur si herave tjera”.

A mendoni se përforcimi me Esma Muratoviqin, mund ta bëjë diferencën në ligë? “Mendoj që hendbolli të Kosovës momentalisht i vyen që pjesë e ligës sonë të janë edhe hendbolliste të nivelit evropian, ngase përballja me to është eksperiencë e mirë për hendbollistet e reja.

Unë shpresoj që ajo të komponohet mirë me skuadrën dhe që të ndikoj në ngritjen e nivelit të lojës së skuadrës që unë drejtoj. Kualitetet e saja janë të padiskutueshme dhe jo vetëm Istogu por komplet Superliga e Kosovës është më cilësore me prezencën e saj në hendbollin tonë”, - përfundoi Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat