Abazi flet për lojtarin e Kamerunit  - Bota Sot
Abazi flet për lojtarin e Kamerunit 

Hendboll

Abazi flet për lojtarin e Kamerunit 

Nga: Kemajl Goca Më: 8 mars 2019 Në ora: 19:31
Abazi flet për lojtarin e Kamerunit 

Kryendeshja e kampionatit zhvillohet nesër (19.00) në palestrën e sportit “Bill Klinton” në Ferizaj, mes Kastriotit nga Ferizaj dhe Besa Famgas nga Peja. Kastrioti është lider dhe synon fitore që ta thellojnë edhe më shumë epërsinë në krye të renditjes në Superligën A në hendboll (meshkujt). Ndërkaq, kampionit në fuqi Besa Famgas kërkon pikë të plota dhe që të barazohen me pikë me ferizajasit.  Pas 19 jave Kastrioti udhëheq kreun me 36 pikë, ka dy më shumë se Besa dhe gjashtë se Prishtina.  

Për këtë ndeshje mbretëron interesim i madh edhe nga dashamirët e kësaj loje. Kastrioti është përforcuar me hendbollistin kamerunas, Bassomben Pamphile, i cili luan në pozitën e bekut të djathtë. Kryetari i klubit ferizajas, Lulzim Abazi, tha se lojtari ka kaluar testet dhe të gjitha gjërat e nevojshme. “Ardhja e lojtarit kamerunas normal se do ta mbush zbrazëtirën që kemi në ekip.

Prej fillimi kemi thënë që nuk do të jetë përforcimi i fundit në afatin kalimtar, ku e kemi shfrytëzuar afatin e fundit kalimtar (i lejuar nga FHK) në momentet e fundit, pas shumë bisedimeve me sjellë këtë lojtar dhe besoj që ia kemi qëlluar si përforcim mu aty ku kemi pasur nevojë.

Sepse këtë pjesë kemi çaluar dhe kërkesa e trajnerit ka qenë me mbuluar anën djathtë, aty ku luan Ben Syla. Kështu që atë që e ka kërkuar trajneri e kemi përmbushur në tërësi dhe është përforcim i qëlluar. Së shpejti do të ambientohet në vendin tonë dhe në ekip, do të jetë lojtar kyq. Ai i ka kaluar provat, po ashtu janë kryer edhe testet mjekësore e të gjitha ato që janë të nevojshme”, tha Abazi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Abazi shprehet i bindur se do ta ruajnë kryesimin dhe do ta kthejnë titullin në Ferizaj pas shumë viteve.

Sipas tij janë kandidati kryesor për ta fituar kampionatin. “Besoj se do ta kthejmë titullin. Konkurrent kryesor për titull jemi ne, ku kemi dy pikë më shumë se Besa dhe do ta thellojmë edhe më shumë epërsinë. Ka mjaft lojë për t’u zhvilluar deri në fund. Kastrioti është i kompletuar në të gjitha repartet, atmosfera është shumë e mirë e në nivelin më të lartë. E presim ndeshjen e të shtunës ndaj Besës me shumë optimizëm”, ka deklaruar Abazi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...