Dalladaku i Kosovës që po shkëlqen në Francë, me synime të mëdha

Hendboll

Dalladaku i Kosovës që po shkëlqen në Francë, me synime të mëdha

Nga: Kemajl Goca Më: 29 mars 2019 Në ora: 13:32
Blendi Dalladaku gjatë një ndeshje

Kosova ka një numër jo edhe të vogël të hendbollistëve që luajnë në shtetet evropiane dhe po tregohen mjaft të mirë. Ndër ta është edhe talenti Blendi Dalladaku, që paraqitet për ekipin francez Nantes U-18. Djaloshi me prejardhje nga qyteti i hendbollit përkatësisht Ferizaj, punon me zell të shtuar që të arrijë në maja më të larta jo vetëm në Francë. Ai është i kënaqur me kushtet dhe atmosferën në klubin Nantes U-18. Përveç që luan me Nantes U-18 është pjesë edhe e kombëtares së Kosovës U-21.

Djaloshi që luan në pozitën e pivotit, ka synime që me ekipin e tij të arrijnë rezultate të lakmueshme po ashtu edhe me kombëtaren e Kosovës U-21 që të kualifikohen në Kampionatin Botëror në Spanjë. Blendi krahas hendbollit si parësore ka edhe shkollimin. Në anën tjetër, mburret që vjen nga qyteti i traditës së hendbollit, Ferizaj dhe ky është edhe një frymëzim për të që të zhvillohet sa më shumë në lojën ndër më atraktive në botë.

“Jam lindur në Nantes në vitin 2001, mirëpo Ferizajn e kam qytet të shpirtit dhe gjithmonë mendoj për të”, tha Blendi. Hendbollisti i talentuar flet për atmosferën dhe konkurrencën në Nantes U-18, për synimet e tija dhe sa e përcjell edhe hendbollin e Kosovës. 

Image

“Bota sot”: Jeni pjesë e Nantes U-18, sa jeni i kënaqur me atmosferën?
Blendi Dalladaku:
Luaj në kategorinë U-18 dhe jam shumë i kënaqur, sepse Nantes është prej shkollave të hendbollit më të mira në botë dhe prej punës së këtij klubit ia kam arritur me luajt në përfaqësuesen e regjionit të Francës “Pays de la Loire” dhe njëkohësisht kam qenë edhe në grupin e gjerë të reprezentacionit të Francës para dy viteve.

“Bota sot”: Sa është konkurrencë e fortë, cilat skuadra janë konkurrenti i skuadrës tuaj?
Blendi Dalladaku:
Konkurrenca është shumë e fortë, edhe ne lojtarët më të mirë prej një lëndimit të vogël duhet mu djers shumë për me fituar prapë vendin në ekip, sepse luajmë në ligë nacionale. Në konkurrencë i kemi ekipet e Parisit dhe Francës në përgjithësi.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Blendi Dalladaku:
Momentalisht planet e mija janë që të kualifikohemi me kombëtaren e Kosovës për Kampionatin Botëror për të rinj, që do të mbahet në Spanjë. Po ashtu synimet e mija janë që të shkojmë sa më lart me ekipin Nantes dhe njëkohësisht të regjistrohem në STAPS (studim për sport).

“Bota sot”: Sa mund ta përcillni hendbollin e Kosovës, me kë komunikoni më shumë?
Blendi Dalladaku:
E kam përcjell hendbollin e Kosovës në televizor së bashku me babën tim sepse nuk kam mundur me luajt në verë për shkak të lëndimit, kurse me shokët e reprezentacionit kam marrëdhënie të shkëlqyeshme, sidomos me lojtar që kam luajt para dy viteve, për shembull Jon Muqolli, Arti Loxha, Etrit Hoxha, Lulzim Shabani dhe krejt lojtarë të tjerë.

“Bota sot”: Sa janë gjasat për kualifikim me Kosovën U-21?
Blendi Dalladaku:
Në bazë të asaj, sa i njoh ekipet kundërshtare dhe kapacitetet e shokëve të mi, edhe në bazë të formës që jam momentalisht, në qoftë se nuk kualifikohemi do të jetë një befasi e madhe për mua.

“Bota sot”: Çfarë synoni me Nantes U-18?
Blendi Dalladaku:
Synimet janë të mëdha dhe do të punoj sa më shumë për me arrit sa më larg, mirëpo varet prej fatit dhe njerëzve që me rrethojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat