Dalladaku: Të bashkuar drejt kualifikimit në botëror - Bota Sot
Dalladaku: Të bashkuar drejt kualifikimit në botëror

Hendboll

Dalladaku: Të bashkuar drejt kualifikimit në botëror

Më: 6 prill 2019 Në ora: 17:32
Dalladaku: Të bashkuar drejt kualifikimit në botëror

Kombëtaret U21 dhe U19 të Kosovës në hendboll po vazhdojnë përgatitjet për paraqitje në garën e rëndësishme, IHF Trophy Intercontinental, që prej të mërkurës mbahet në Prishtinë. Dy ditë më parë me kombëtaren e juniorëve (U21) është bashkuar pivoti Blendi Dalladaku që luan për grupmoshat e reja të klubit të njohur francez, Nantes.

Dalladaku vlerëson lart punën që po bëhet në kombëtare ndërsa është optimist se Kosova do të fitojë Trofeun e IHF-së dhe kështu gjenerata U21 do të kualifikohet në kampionatin botëror të juniorëve që mbahet në verë në Spanjë.

“Dy ditë më parë i jam bashkuar grupit dhe jam shumë i kënaqur me punën e trajnerëve. Jam shumë i kënaqur poashtu me grupint e lojtarëve, shumicën prej të cilëve i kam njohur më herët. Edhe me lojtarët që jam njoftuar tani, po shkon shumë mirë. Kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve”, ka thënë Blendi Dalladaku. “Synim i gjithë grupit të lojtarëve e trajnerëve është të fitojmë garën IHF Trophy Intercontinental dhe kështu të kualifikohemi në kampionatin botëror. Mendoj se do t’ia dalim”.

Dalladaku edhe dy vite më parë ishte në përgatitje me gjeneratën aktuale të juniorëve. Ishte grumbulluar për një kampionat evropian të mbajtur në Bullgari, u paraqit në dy ndeshje miqësore, por për shkak të një lëndimi nuk udhëtoj me ekipin.

Kombëtarja U21 po punon nën urdhërat e trajnerit Fatmir Muhaxheri, që udhëhoqi këtë grupmoshë drejt triumfit në IHF Trophy për Evropë, që në vjeshtë u mbajtë në Prishtinë. Kjo grupmoshë mund të shkruajë histori si e para kombëtare e Kosovës në sportet ekipore që siguron paraqitjen në kampionat botëror.

Kosova U21 është në grupin A të garës IHF Trophy Intercontinental së bashku me Nigerinë e Taipein Kinez. Në grupin B janë Australia, Paraguaji e SHBA-ja.

Orarin e ndeshjeve e paraqesim më poshtë:

E mërkurë, 10 prill

SHBA – Australia (13:00)

Kosova – Taipei Kinez (15:00)

E enjte, 11 prill

Australia – Paraguaji (15:00)

Taipei Kinez – Nigeria (17:00)

E premte, 12 prill

Paraguaji – SHBA (15:00)

Nigeria – Kosova (19:00)

(Të gjitha ndeshjet e fazës grupore luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Gjysmëfinalet janë të shtunën më 13 prill, kurse ndeshja për vend të tretë dhe finalja të dielen, 14 prill).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...