Kombëtarja e Kosovës U19 synon Trofeun e IHF-së - Bota Sot
Kombëtarja e Kosovës U19 synon Trofeun e IHF-së

Hendboll

Kombëtarja e Kosovës U19 synon Trofeun e IHF-së

Më: 9 prill 2019 Në ora: 10:15
Kombëtarja e Kosovës U19 synon Trofeun e IHF-së

Sfida shumë të rëndësishme ditëve në vijim e presin edhe kombëtaren U19 të Kosovës në hendboll. Edhe për grupmoshën U19 zhvillohet gara prestigjioze IHF Trophy Intercontinental. Për U19 nuk ka kualifikim për në botëror, por triumfi në IHF Trophy Intercontinental do të ishte sukses jashtëzakonisht i madh për këtë grupmoshë.
Kombëtarja U19, njëjtë si ajo U21 dhe kombëtarja A, është në fazën finale të përgatitjeve. Synim natyrisht është triumfi në garën që prej të mërkurës organizohet në Prishtinë. Djelmoshat e rinjë presin edhe përkrahjen e adhuruesve të hendbollit në sfidat që mund t’i sjellin suksesin e madh Kosovës. Kjo gjeneratë në vjeshtë fitoi garën IHF Trophy për Evropë.
“Përgatitjet kanë kaluar sipas planifikimit. Fillimisht janë bërë testimet e aftësive motorike, qëndrueshmërisë, aftësive anaerobe dhe aerobe. Nga gjithsej 27 lojtarë i kemi përzgjedhur 18. Akomodimi në Hotel Afa, që është pranë palestrës 1 Tetori, dhe kushtet në sallë janë shumë të mira. Ftesës i janë përgjigjur të gjithë lojtarët e ftuar, përfshirë Vilson Gojanin që luan në Itali dhe është një ndihmë e madhe për këtë grupmoshë”, ka thënë trajneri i U19 të Kosovës, Jeton Havolli.
Ai më tej ka paraqitur synimet: “Synimi është vendi i parë, marrë parasyesh që jemi kampion të IHF Trophy për Evropë, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar. Jam i kënaqur me lojtarët që i kemi në dispozicion. Kryesisht janë lojtarët e njëjtë, me disa ndryshime të vogla. Konkurrent mendoj se do të kemi Taipein Kinez e Nigerinë edhe pse nuk kemi informata për konkurrentët tjerë. Kjo garë do t’iu shërbejë shumë djelmoshave të kësaj gjenerate, për zhvillim të mëtejmë në gara ndërkomëbtare. Pres që shumica të kalojnë në grupmoshën U21 dhe mendoj që është një gjeneratë premtuese”, ka thënë Havolli.
Kosova U19 është në grupin B së bashku me Kanadanë e Zelandën e Re. Në grupin A janë Nigeria, Paraguaji e Taipei Kinez. 
Dy ndeshjet e së mërkurës luhen në palestrën 1 Tetori. Takohen: Zelanda e Re – Kanada (14:00) e Taipei Kinez – Nigeria (17:00). Prej së enjtes ndeshjet luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Të enjten janë takimet: Paraguaji – Taipei Kinez (13:00) e Kosova – Zelanda e Re (19:00). Të premten luhen dy ndeshje tjera: Ngeria – Paraguaji (13:00), Kanada – Kosova (17:00). Të shtunën janë gjysmëfinalet e të dielen finalja dhe ndeshja për vend të tretë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...