Kastrati: Djelmoshat e Kosovës të mendojnë për në Tel Aviv

Hendboll

Kastrati: Djelmoshat e Kosovës të mendojnë për në Tel Aviv

Nga: Kemajl Goca Më: 12 prill 2019 Në ora: 15:29
Enis Kastrati

Ish hendbollisti Enis Kastrati, ka komentuar fitoren (27:24) e Kombëtares së Kosovës në duel me Izraelin dhe çfarë mund të arrijnë djelmoshat tanë në Tel Aviv të dielën e 14 prillit (18.00), në ndeshjen e xhiros së katërt të grupit 1 të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020 (meshkujt) në hendboll.  “Është një fitore shumë e mirëseardhur kundër një kundërshtari aspak të lehtë, mirëpo mendoj që kjo ndeshje duhet sa më parë të harrohet dhe të mendohet për ndeshjen e ardhshme, sepse në Tel Aviv nuk do të jetë aspak e lehtë, kur kihet parasysh që Izraeli në terren të vet ka mposhtur edhe një superfuqi siç është Polonia.

Më të vërtet me ka pëlqyer loja e djemve tanë, por mendoj që kjo ekip e Kosovës ka ende për t’u përmirësuar, i duhet sa më shumë lojë ndërkombëtare dhe me ekipe të forta qofshin ato miqësore apo edhe të nivelit garues e jo të shkohet si deri me tani që të grumbullohet 10 ditë para lojës, por të ketë edhe grumbullime tjera gjatë vitit. Izraeli ka ditur në terren të vetin të mposht edhe një superfuqi siç është Polonia dhe është një kombëtare shumë e papërshtatshme dhe gjithsesi pasi që ka mposht edhe Poloninë ka gjasa që të kualifikohet. Kosova duhet të harroj ndeshjen në Prishtinë dhe tash të mendojnë për ndeshjen në Tel Aviv, ku do të jetë shumë e vështirë.

Gjithsesi izraelitët do të kenë motivin më të madh përpara publikut të vet dhe mendoj se trajnerët e Izraelit e kanë analizuar lojën tonë, do të kenë qasje ndryshe sepse në Prishtinë edhe e kanë nënçmuar ekipin tonë, ku kanë menduar që do të fitojnë lehtësisht. Mendoj që Kosova nëse don të arrij më shumë në këtë ndeshje duhet të angazhohet edhe më shumë se në lojën e parë që të arrijë ndonjë rezultat të favorshëm. Kosova, Polonia dhe Izraeli janë me pikë të njëjta, me nga 2 pikë në grupin 1. Sipas cilësisë edhe orarit mendoj që Polonia e ka më afër kualifikimin, mirëpo siç po rrjedhin rezultatet ka vend edhe për ndonjë befasi.  

Ndërkaq i Kosovës i duhet një punë e madhe dhe sigurisht edhe me ndryshuar qasja, duhet të ketë punë më profesionale, duhet të ketë grumbullime më shumë, të ketë lojë miqësore, të shfrytëzojmë rastin, mbasi që veç po përballemi me superfuqi të hendbollit, atëherë t’i marrim sistemet e punës, të shkëmbejmë përvoja, t’i shohin se si punojnë edhe nëse nuk mundemi 100 për qind t’i aplikojmë të ne, se edhe kushtet financiare i kemi të limituara, megjithatë të mundohemi ato çka janë më të realizueshme edhe t’i realizojmë që të ketë edhe grumbullime tjera gjatë vitit, si lojë miqësore, sepse vetëm kështu rritet niveli, pasi që niveli i Superligës nuk është i lakmueshëm. Duhet menduar se qysh mu ngritur niveli e jo me 10 ditë grumbullim para lojës edhe me u fut në ndeshje, siç janë këto kualifikueset dhe shumë të rëndësishme”, tha Kastrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat