Kosova e frymëzuar për një sukses tjetër në Izrael

Hendboll

Kosova e frymëzuar për një sukses tjetër në Izrael

Më: 13 prill 2019 Në ora: 17:03
Kosova e frymëzuar për një sukses tjetër në Izrael

Kombëtarja A e Kosovës në hendboll të premten ka udhëtuar për në Izrael ku do të luajë ndeshjen e rradhës në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”. Të dielen nga ora 19:00 në Tel Aviv luhet takimi Izraeli – Kosova, që i takon grupit të parë. Pas tri xhirove në grup udhëheq Gjermania me 6 pikë. Polonia, Izraeli e Kosova i kanë nga 2 pikë. Pra kombëtarja jonë është në garë për kualifikim në Evropian.

Kosova në Izrael ka udhëtuar e frymëzuar nga fitorja ndaj Izraelit, që u arrit të mërkurën në Prishtinë. Fitorja u arrit me një paraqitje mbresëlënëse të lojtarëve tanë dhe ajo jep shpresë për sukses të ri në Tel Aviv.

“Atmosfera në ekip është e këndshme dhe e qetë. Pasditën e së premtes kemi pushuar dhe jemi rikuperuar nga loja, udhëtimi dhe lodhja e përgjithshme. Fizioterapeisti ynë, Agon Bytyqi, ka përgjegjinë e madhe që t’i kthejë lojtarët në gjendjen e duhur fizike para lojës së ardhshme. Nuk është ndalur që nga përfundimi i ndeshjes në Prishtinë”, ka thënë përzgjedhësi Taip Ramadani. Ai tutje ka folur për ndeshjen ndaj Izraelit.

“Në Izrael presim një lojë me intensitet më të ngritur dhe më fizike se ajo në Prishtinë. Sigurisht edhe kundërshtari tani do të mundohet të gjejë pikat e dobta dhe të revanshohet për humbjen në Prishtinë. Ne duhet të fokusohemi në zgjidhje tjera në fazën e sulmit, të mos i luajmë kundërshtarit në duar sepse sigurisht ata do të fokusohen në sistemet e sulmit tonë. Jemi të fokusuar si kurrë më parë dhe përkundër sfidës që na pret, ne synojmë të vazhdojmë me atë vrull të Prishtinës dhe të luftojmë edhe për dy pikë të reja që sigurisht do të na vendosnin në pozitë të shkëlqyeshme në grup”, ka shtuar Ramadani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat