Tetë ekipe në ethet e Kupës së Kosovës

Hendboll

Tetë ekipe në ethet e Kupës së Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 4 maj 2019 Në ora: 10:15
Tetë ekipe në ethet e Kupës së Kosovës

Për dy ditë rresht kryeqyteti i Kosovës do të jetë nën ethet e gjysmëfinaleve dhe finaleve të Kupës së Kosovës në hendboll (meshkujt e femrat). Në ditën e shtunë (sot, me 4 maj) do të luhen ndeshjet e gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Ndeshja e parë luhet në orën 13.00 mes Trepçës dhe Prishtinës (meshkujt), kurse në orën 15.00 ndeshen fituesi i kupës së vjetme Istogu dhe Shqiponja kampione në fuqi (femrat). Në orën 17.00 përballen Vushtrria-Prishtina (femrat) dhe në orën 19.00 Kastrioti dhe fituesi i Kupës së vjetme Besa Famgas (meshkujt). Tetë ekipe janë në emocione, secila pretendon trofeun e çmueshëm. Në konkurrencën e meshkujve, hendbollisti i Besës, Kastriot Jupa, tha se e kanë vetëm një synim, finalen. “Jemi ekipi më kualitativ në vend dhe kemi një synim të vetëm – fitimin e Kupës së Kosovës dhe më pas titullin e kampionit për të gjashtin vit rresht”, tha Jupa.  

Rron Ramadani, lojtar i Kastriotit, e din se do të jetë vështirë por beson në fitore. “Është një sfidë e veçantë, një ndeshje krejt ndryshe prej atyre kampionale. Çdo gjë varet nga paraqitja jonë. Jemi të motivuar për fitore dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Jemi optimist, kam besim të plotë te shokët e skuadrës e po ashtu presim përkrahjen e tifozëve ferizajas”, thotë Ramadani.

Oltion Beshiri, hendbollist i Prishtinës, është optimist: “Për klubin tonë është rast i mirë kjo kupë pasi zhvillohet në Prishtinë dhe kemi shpresë që do ta kemi edhe përkrahjen e publikut. Trepça ka skuadër kualitative dhe nuk do ta kemi të lehtë fitoren. Me kthimin e kapitenit Kreshnik Krasniqi, motive dhe vullneti është rritur te të gjithë”.  Hendbollisti i Trepçës, Sali Maxhera, tha se është sukses që janë në gjysmëfinale.

“Për ne është sukses arritja në final 4 të Kupës së Kosovës. Por kjo nuk nënkupton se do të luajmë pa synime në gjysmëfinale. Premtojmë angazhim maksimal, deri në fund të ndeshjes. Nuk jemi favoritë, por nuk jemi skuadër që dorëzohemi. Do të bëjmë më të mirën e mundshme”, shprehet Maxhera.  T[ dielën në orën 16.30 luhet finalja e femrave, kurse në orën 19.15 ajo e meshkujve. 
Gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës
Femrat 
E shtunë

Istogu-Shqiponja    15.00
Vushtrria-Prishtina    17.00

Meshkujt
E shtunë

Trepça-Prishtina        13.00
Kastrioti-Besa Famgas        19.00

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat