Shala: Për Istogun është historike arritja në finale 

Hendboll

Shala: Për Istogun është historike arritja në finale 

Nga: Kemajl Goca Më: 16 maj 2019 Në ora: 19:33
Faruk Shala

Istogu është sikur në qiellin e shtatë, për herë të parë në historinë e tyre si klub janë në finalen e madhe të play-off-it në luftë për titullin e kampionit të Kosovës. Klub që deri me tash dy herë rresht ka fituar Kupën e Kosovës (edicionin e kaluar dhe sivjet), ndërsa kërkon edhe titullin e kampionit që ta gëzojnë Istogun me rrethinë. Në klub punohet me përkushtim që të janë të përgatitur për finalen e madhe me Vushtrrinë, ku kampion do të bëhet ajo ekip që shënon dy fitore.  

Kryetrajneri i Istogut, Faruk Shala, po ndihet fortë mirë që ka arritur në finale dhe beson e shpreson se titulli do ta sjellë në vitrinat e klubit të tij. Në klubin e Istogut paraqiten edhe dy hendbolliste nga Mali i Zi, shqiptarja Suzana Ujkiq e cila i ka dhënë shpirt kësaj skuadre dhe malazezja Esma Muratoviq, që ka përvojë të madhe.  

Ndeshjet e para të finales janë paraparë të zhvillohen me 22-23 maj dhe deri atëherë klubet do të orvaten që t’i mënjanojnë dobësitë që iu shfaqen në ndeshjet gjysmëfinale. Istogu e ka eliminuar Shqiponjën nga Gjakova në seri të fitoreve me 2:0, sikurse edhe Vushtrria Prishtinën.

Finalja e play-off-it të Superligës së Kosovës do të jetë reprizë e Kupës së Kosovës, sepse takohen të njëjtat rivale mes vete, Istogu-Vushtrria.  Shala mendon se ka ekipin më të kompletuar e më të mirë dhe shpreson se do të tregojnë cilësitë në përballje me vushtrriaset.

“Bota sot”: Istogu kualifikohet për herë të parë në finalen e play-off-it, a mendoni se jeni afër titullit?
Faruk Shala:
Po, jemi për herë të parë në finale, asnjëherë më afër nuk kemi qenë për titull por normalisht nuk do të jetë lehtë, ne do të japim gjithçka nga vetja. Për neve është historike arritja në finale dhe titulli eventual.
“Bota sot”: Çka e ka veçuar Istogun deri me tash?
Faruk Shala
: Istogun e karakterizon kualiteti, vazhdimisht po krijon skuadër kualitative, e sivjet është skuadra me kualitative që kemi pasur deri me tani. Istogun e penalizojnë rrethana tjera si ato infrastrukturore, etj. ndërsa në aspektet tjera mendoj që jemi skuadra më e organizuar dhe me hendbollistet më cilësore.
“Bota sot”: Ju ndajnë pak ditë para finales së madhe, a jeni në presion të Vushtrrisë?
Faruk Shala:
Ne ndeshjet i marrim një nga një dhe ashtu edhe përgatitemi. Jemi me fat që nuk kemi lëndime, skuadra është e kompletuar, për neve është më rëndësi që ndeshjen e parë me përmbyll ashtu si dëshirojmë, pastaj të përgatitemi për ndeshjen e dytë. Na presin ndeshje të vështira, gjithmonë ndeshjet me Vushtrrinë kanë qenë të tilla, sidomos në Vushtrri, atje krijohet një atmosferë e jashtëzakonshme sportive. Publiku në Vushtrri është i mrekullueshëm, është kënaqësi të zhvillojmë ndeshje para tyre, besoj te hendbollistet e mija, që do të japin maksimumin dhe edhe njëherë të më bëjnë që të ndihem krenar për to, unë dhe gjithë qyteti i Istogut.

“Bota sot”: Ku janë përparësitë e Istogut, faktori fushë apo në lojtare?
Faruk Shala:
Përparësitë janë te hendbollistet, e kanë kualitetin, por edhe përvojën e duhur që me triumfuar në këtë ndeshje dhe tek loja kolektive e cila e karakterizon Istogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat