Besa titullin e festoi në palestrën “Bill Clinton”

Hendboll

Besa titullin e festoi në palestrën “Bill Clinton”

Më: 26 maj 2019 Në ora: 12:21
Besa titullin e festoi në palestrën “Bill Clinton”

Besa Famgas ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Për skuadrën pejane të hendbollistëve është titulli i gjashtë rresht dhe kështu Besa Famgas ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës. 
Besa titullin e festoi në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, në qytetin me traditë të hendbollit. Besa e mposhti Kastriotin vendas me rezultat 26:25, në një ndeshje tjetër shumë të fortë në mes dy skuadrave dhe poashtu shumë dramatike. Fituesi u vendos vetëm në aksionet e fundit, ndërsa Besës do t’i mjaftonte edhe barazimi për t’u shpallur kampion. Besa të mërkurën në Pejë fitoi 16:15 dhe me dy fitore në finale të plejofit stoliset me titull të kampionit. 
Skuadra pejane është renditur e para në pjesën e rregullt të kampionatit, kurse në gjysmëfinale kaloi Vëllaznimin. Kastrioti në stinorin e rregullt ishte i dyti, kurse Prishtinën e kaloi në gjysmëfinale. Por ferizajasit kanë pasur poashtu një edicion shumë të suksesshëm. Kanë fituar Kupën e Kosovës, duke mposhtur Besën në gjysmëfinale dhe Prishtinën në finale. 
Gjatë tërë edicionit Besa e Kastrioti ishin rivalë të mëdhenjë dhe kështu kanë shtyrë para garën në Superligën e Kosovës.
Dhe si të gjithë ndeshjet e këtij edicioni mes Besës e Kastriotit edhe ndeshja vendimtare ishte e fortë, me mbrojtje të fuqishme. Në minutat e fundit Besa krijoi epërsi deri në tri gola, por vendasit u kthyen dhe barazuan rezultatin në 24:24. Por pejanët ia dolën të shënojnë edhe dy herë dhe në fund rezultati ishte 26:25 për Besën. 
Tre lojtarë shënuan nga pesë gola për Besën: A. Kukrika, E. Gjuka, e D. Tahirukaj. U dallua edhe portieri H. Berisha e poashtu të gjithë ata që luajtën. D. Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me 8 gola. 
Ndeshja u luajt para rreth 1200 shikuesve. 

Kastrioti – Besa Famgas 25:26 (12:13)
Kastrioti: Curri, Syla 2, Zherka 2, A. Dugolli, Qerimi, Terziqi 8, Prekazi 2, Shabani 3, Ramadani 2, D. Dugolli, Rudari, Mustafa, Esati, Bassomben 3, Rajatoski 4, Bytyqi
Besa Famgas: Berisha, Mehmeti, Tahirukaj 5, Y. Muqolli, Jpa 3, Tetova, D. Tahirukaj 3, Gjuka 5, Kukrika 5, Ramosaj, Bislimi, Idrizi 1, Çuziq 1, Vokshi, J. Muqolli 2, Thaqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat