Ramadani premton luftë kundër Polonisë dhe Gjermanisë - Bota Sot
Ramadani premton luftë kundër Polonisë dhe Gjermanisë

Hendboll

Ramadani premton luftë kundër Polonisë dhe Gjermanisë

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 12:54
Ramadani premton luftë kundër Polonisë dhe Gjermanisë

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani ka premtuar “luftë” deri në çastet e fundit në ndeshjet me Poloninë e Gjermanië. Ramadani të premten ka publikuar emrat e lojtarëve të përzgjedhur për këto dy ndeshje të fundit të fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”. Kështu kombëtarja e Kosovës ka ardhur në fund të një rrugëtimi që nis vite më parë, gjatë të cilit përparimi ishte i madh.

“Kualifikimi për ‘Euro 2020’ ka qenë rrugëtimi më i madh që ka ndërmarrë kombëtarja e Kosovës deri më tani. Kjo garë për ne ka filluar më 2 nëntor 2016, me ndeshjen kundër Turqisë në Ankara. Tani jemi në përfundim të fazës së dytë kualifikuese. Na kanë mbetur dy ndeshje, me Poloninë si vendas dhe me Gjermaninë si mysafir. Kualifikimi për ne është tejet i vështirë, edhe nëse fitojmë ndaj Polonisë, pasi kemi gol diferencën më të dobtë. Mirëpo synimi ynë është të luftojmë deri në frymën e fundit dhe të përfaqësojmë vendin tonë me shumë dinjitet e shumë krenari”, ka thënë selektori Taip Ramadani.

Ai ka ftuar disa nga lojtarët që u paraqitën me plot sukses me kombëtaren U21, duke siguruar botërorin.

“Në këtë grumbullim i kam ftuar edhe disa nga lojtarët e ekipit U21 që të fillojmë t’i komponojmë në ekipin senior dhe të njoftohen me proceset dhe sistemet e kombëtares A. Për ndonjë ky do të jetë fillim i rrugëtimit të karrierës së tyre ndërkombëtare. Në të ardhmen shpresoj edhe të tjerët të inkuadrohen sa më herët. Fatlum Ahmeti ka patur një lëndim dhe në marrëveshje me të kemi vendosur ta pushojmë për këtë grumbullim. Gjithashtu kemi pikëpyetje për Bujar Ramosajn, që ka pësuar një krisje në asht të dorës gjatë kampionatit. Këtë herë kam vendosur të ftojë prap pivotin Petrit Prekazi, pasi ka patur një paraqitje të shkëlqyeshme këtë kampionat dhe kam vërejtur një përmirësimë të madhë gjatë kohës së tij në Ferizaj. Shpresoj se do të sjellë atë formë dhe pjekuri edhe në këtë grumbullim”, ka shtuar tutje selektori Ramadani.

Ai e ka përshkruar rrugëtimin në kualifikime për “Euro 2020” edhe në shifra.

“Kemi luajtur 14 ndeshje. I kemi 5 fitore, 8 humbje, 1 barazim. Kemi shënuar 375 gola dhe kemi pranuar 382 gola. 31 lojtarë kanë qenë të angazhuar nëpër ndeshje. 5 janë golashënuesit më të mirë: Dedaj dhe Jupa me nga 52 gola, Terziqi me 46, Fetahu dhe Kabashi me nga 37. Kuptohet se edhe ndeshjet në Bullgari (IHF Emerging Championship 2017) kanë qenë fazë e kualifikimeve pasi kanë qenë mundësia jonë për fazën e dytë që po e përmbyllim tani. Na presin ndeshje të forta, ndërsa Gjermania ka ftuar një ekip tërësisht të pa provuar”, ka përfunduar prononcimin Taip Ramadani.

Kosova e pret Poloninë më 12 qershor nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndërsa më 16 qershor në Nurnberg luhet ndeshja Gjermania – Kosova.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...