Ramadani: E njohim mirë Poloninë - Bota Sot
Ramadani: E njohim mirë Poloninë

Hendboll

Ramadani: E njohim mirë Poloninë

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 16:58
Ramadani: E njohim mirë Poloninë

Kosova dhe Polonia kanë bilanc të njëjtë, një fitore e 3 humbje apo nga dy pikë në grupi 1 të kualifikueseve për Euro 2020 në hendboll (meshkujt). Kosova synon t‘i revanshohet për humbjen me 37:13 nga Polonia në vitin e kaluar pikërisht me 24 tetor. Djelmoshat tanë kanë zhvilluar përgatitjet e fundit për ndeshjen e rëndësishme me Poloninë, e cila luhet nesër (në orën 20.00) në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Për Kombëtaren tonë është ndeshja e parafundit e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”.

Djelmoshat e selektorit Taip Ramadanit prej të premtes kanë punuar intenzivisht në Prishtinë, që ndeshjen me Poloninë e fortë ta presin sa më të përgatitur. Ka optimizëm për paraqitje të mirë, por poashtu respekt ndaj kundërshtarit.  Kosova në prill kishte fituar ndaj Izraelit (27:24) në një sukses historik për sportin tonë. Tani është koha për paraqitje të denjë ndaj Polonisë.  “Pas humbjes që e pësoi në Izrael në tetor, Polonia ka bërë ndërrime në formacion. Trajneri Patryk Rombel ka imponuar një taktikë të re, me të cilën ka pasur suksese në momente, në ndeshje kundër Gjermanisë, në prill. Është hera e tretë që takohemi me Poloninë.

E njohim mirë cilësinë e saj dhe poashtu dobësitë që ka. Tash mbetet te ne që të përfitojmë nga këto dobësi. Jam i kënaqur me përgatitjet tona deri më tani. Djemtë po punojnë në nivel të lartë dhe janë të fokusuar në detyra. Më lë përshtypje fakti që janë duke diskutuar më shumë mes vete gjatë stërvitjeve dhe janë duke analizuar lojën e polakëve më me vëmendje”, ka theksuar Ramadani. Prej lojtarëve që i kishte llogaritur, Ramadani në përbërje nuk i ka Bujar Ramosajn e Rron Ramadanin.

“Na mungojnë mbrojtësi Ramosaj, që ka bërë një operim në dorë para pak ditësh dhe Rron Ramadani. Por shpresoj që mund të kompensojmë këto mungesa në mënyra tjera. Alo e majtë, Lulzim Shabani, do të debutojë në Prishtinë, pas një sezoni të mrekullueshëm me Kastriotin. Ka shpejtësi mahnitëse dhe potencial që në të ardhmen të zhvillohet në lojtar të nivelit të lartë.

Familja, shoqëria dhe klubi duhet të krenohen me të. Shpresojmë për një mbështetje nga tribunat dhe të jeni të sigurtë se do të derdhim edhe djersën e fundit në parket”, premton Ramadani. Përkrahja e shikuesve vlerësohet shumë e rëndësishme. Synohet sukses tjetër në këtë moment të madh të sportit tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...