Kabashi: Dominuam kundër superfuqisë botërore

Hendboll

Kabashi: Dominuam kundër superfuqisë botërore

Nga: Kemajl Goca Më: 13 qershor 2019 Në ora: 17:53
Kabashi: Dominuam kundër superfuqisë botërore

Kosova ka gjasa që të futet në histori, të kualifikohet në Euro 2020 në hendboll, kjo mrekulli mund të ndodhë nëse e mposhtin Gjermaninë të dielën e fundjavës (në orën 18.00)! Kombëtarja e Kosovës pas barazimit senzacional (23:23) me Poloninë, tani luan si mysafirë i Gjermanisë dhe vetëm fitorja e dërgon përpara.  Gjermania është e para në grupin 1 me 10 pikë, pasojnë Izraeli me 4, Polonia dhe Kosova secila me nga tri pikë të mbledhura. Me pak fat Kosova do të fitonte sfidën me polakët në Prishtinë, por në sekondat e fundit Polonia barazoi duke iu falënderuar fatit sportiv.

Hendbollisti i kombëtares tonë, Enis Kabashi, tha se barazimi është si fitore për faktin se u ballafaquan me një superfuqi botërore. Ndryshe Kabashi luan për ekipin gjerman TG Landshut Handball dhe ka qenë prej më të mirëve, me pesë gola të shënuar kundër Polonisë. Kabashi premton angazhim maksimal edhe ndaj gjermanëve, për të dalur me rezultat sa më të mirë. 
“Bota sot”: Lojë brilante e Kosovës, kurrë më afër fitores ndaj superfuqisë evropiane, Polonisë, por në fund përfundoi baras (23:23). A iu kënaq edhe barazimi?
Enis Kabashi:
Loja më e mirë e Kosovës ndonjëherë, kur nuk kam qenë më krenar se pardje, kur ta mendosh që kemi dominuar 60 minuta kundër një ekipit si Polonia që është superfuqi botërore, barazimi është fitore për ne.
“Bota sot”: Çka e veçojë Kosovën ndaj Polonisë?
Enis Kabashi:
Shpirti luftarak dhe dëshira më e madhe për fitore.
“Bota sot”: A mendoni se Kosova ka një rritje të mirë, ka një fitore e një barazim dhe tri humbje në grupin 1?
Enis Kabashi:
Po, mendoj që rruga që e ka filluar trajneri ynë Taip Kabashi me këtë gjeneratë që jemi tash, është investuar e punuar shumë, ishte koha që t’i tregojmë Evropës që edhe Kosova ka lojtarë shumë cilësorë që meritojnë të luajnë në ligat më të mira evropiane.
“Bota sot”: Muajit e fundit jeni në formën më të mirë, a kanë ndikuar shumë edhe paraqitjet tuaja në ekipin gjerman TG Landshut?
Enis Kabashi:
Po, transferimi në ligën gjermane më ka ndryshuar shumë në aspektin fizik dhe taktik, hendbolli gjerman është ndër më të fortët në Evropë dhe normalisht që ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin tim si lojtar.
“Bota sot”: Të dielën kundër Gjermanisë, a shpresoni në paraqitje dinjitoze por edhe në befasi?
Enis Kabashi:
Po, të dielën do të luajmë ndeshjen e fundit për këto kualifikime dhe jam i bindur se do të japim të gjithë lojtarët maksimumin sikurse kundër Polonisë, ani pse do të jetë më vështirë, shpresoj të dalim me një rezultat sa më pozitiv në këtë ndeshje.
“Bota sot”: A janë rezultatet më të mira që po arrin Kosova që nga koha e pasluftës?
Enis Kabashi:
Po, pas pranimit të hendbollit të Kosovës në EHF dhe IHF, mendoj që këto ndeshje dhe rezultate janë më të mirat deri më sot dhe jam i bindur që në një kohë të afërt do të kualifikohemi për një Kampionat Evropian apo Botëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat