Ramadani: Gjasa për kualifikim janë reale, por vështirë kundër Gjermanisë

Hendboll

Ramadani: Gjasa për kualifikim janë reale, por vështirë kundër Gjermanisë

Nga: Kemajl Goca Më: 14 qershor 2019 Në ora: 16:55
Ramadani: Gjasa për kualifikim janë reale, por vështirë kundër Gjermanisë

Kosova është para një sfide të jesh apo të mos jesh, kundër superfuqisë botërore Gjermanisë, e cila luhet të dielën në orën 18.00 në  “Arena” në Nurnberg, në kuadër të ndeshjes së fundit të grupit 1  të kualifikueseve për Euro 2020 në hendboll (meshkujt). Gjermania ka qetësinë, pasi që ka kohë që ka siguruar vizën për më tutje, ndërsa Kosova pretendon të bëjë mrekulli, pra të shënojë fitore që ia siguron kalimin më tutje. Gjermanët deri me tash kanë pesë fitore rresht, udhëheqin kreun me 10 pikë, gjashtë më shumë se Izraeli dhe shtatë se Polonia dhe Izraeli.

Në vitin e kaluar Kosova u ballafaqua me gjermanët përkatësisht me 28 tetor në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, ku pësuan humbje me 16 gola dallim (14:30). Djelmoshat tanë me 12 qershor, të kësaj jave, bënë senzacion kur barazuan 23:23 me superfuqinë botërore Poloninë, prandaj ky barazim iu jep shpresë se mund të bëjnë senzacion edhe në Nurnberg. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës,  Taip Ramadani, tha se janë gjasat matematikore për të shkuar më tutje, por sipas do të jetë shumë vështirë kundër superfuqisë botërore. “Sigurisht se gjasa për kualifikim janë reale, janë edhe matematikore, gjithçka varet edhe nga loja mes Polonisë dhe Izraelit. Synimi ynë është që t’i qasemi ndeshjes me seriozitet, e dimë çfarë kapaciteti ka Gjermania.  

Duhet të marrim lojën më shumë seriozitet dhe të aplikojmë lojën që nuk i përshtatet gjermanëve. Ata kanë bërë ndërrime të shumta në formacion me lojtarë të rinj,  janë me të shpejt dhe dëshirojnë me u dëshmuar para trajnerit. Ata kanë lojë shumë agresive, me kundërzbritje të njëpasnjëshme, gjë që e dëshmon edhe loja e fundit kur i shënuan 40 gola Izraelit në Tel Aviv. E kanë një formacion të ri, shumë më të motivuar dhe luajnë lojë  më të shpejt se ekipi që ka luajtur më përpara”, thotë Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ramadani konfirmoi se janë të kompletuar për sfidën me gjermanët.

“Ne jemi komplet sikur kundër Polonisë, tash kemi një stërvitje, për të punuar sipas taktikës së re gjermane. Derisa të shkojmë në Gjermani lojtarët e mi duhet të njihen me taktikën gjermane. Është një test i mirë me pa se ku jemi , me një ekip ndër më të mirat në botë. Është rast i shkëlqyeshëm me pa Kosovën se sa ka ecur prej tetorit të kaluar kundër Gjermanisë”, thotë Ramadani. Ndeshja drejtohet nga gjyqtarët austriakë  Florian Hofer e Andreas Schmidhuber.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat