Gjermania ia shoi ëndrrën historike Kosovës 

Hendboll

Gjermania ia shoi ëndrrën historike Kosovës 

Nga: Kemajl Goca Më: 16 qershor 2019 Në ora: 19:37
Gjermania ia shoi ëndrrën historike Kosovës 

Kombëtarja e Gjermanisë nuk tregoi mëshirë ndaj Kosovës, duke shënuar fitore bindëse me rezultat 28:17 (16:5), në ndeshjen e xhiros së fundit të Grupit 1 të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020 në hendboll (meshkujt). 
Gjermanisë asgjë nuk i duhej fitorja, ndërsa Kosovën vetëm dy pikë e çonin në Kampionatin Evropian, por nuk ia dolën të triumfojnë ndaj superfuqisë botërore. 

Gjermania që nga minuta e parë luajti me seriozitet, duke udhëhequr edhe me rezultat 3:0, pastaj me 5:0, 8:3 dhe dhe mos lejuar në asnjë moment djelmoshat tanë që t’i afrohen në rezultat. 
Kosova mundohej në të gjitha mënyrat por dot  që të gjenin ndonjë mundësi për të ngushtuar humbjen, ngase kishin të bënin me një ekip shumë më të përgatitur, veçmas në cilësi! 

Përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani, para ndeshjes kishte deklaruar se do të jetë shumë vështirë, kur kihet për bazë cilësia që kanë gjermanët, ashtu edhe doli. 
Periudha e parë e lojës përfundoi me rezultat 16:5 në favor të Gjermanisë, që nënkupton se shpresat e Kosovës për rezultat të favorshëm janë baras me 0.

Në periudhën e dytë të lojës Gjermania luante me qetësi, kurse hendbollistët tanë u treguan më të mirë se në periudhën e parë, por sa mjaftonte kjo kur diferenca ishte e madhe në rezultat dhe e pakapshme! Në minutën e 53-të, gjermanët avanconin me 12 gola (25:13) dhe në fund përfundoi sfida me 28:17. Gjermania ia shoi ëndrrën historike Kosovës, sepse me fitore do të shkonte direkt në Kampionatin Evropian. 

Te Kosova hendbollisti më efikas ishte Deniz Terziqi me 8 gola të shënuara. U dallua edhe portieri Haris Berisha i mbrojti tre shtatëmetërsha dhe disa aksione shumë të bukura të gjermanëve

Kosova nuk e përsëriti lojën sikurse me Poloninë që luajti baras (23:23) në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Pavarësisht lojës së madhe me polakët, pak kush ka pritur pikë në Nurnberg, ngase Gjermania është ekip që dallon shumë për nga cilësia. 
Djelmoshat tanë dhanë maksimumin edhe pse nuk arritën që ta sigurojnë kualifikimin historik, gjithsesi se nxorën më të mirën në grup, duke fituar tri pikë (1 fitore, 1 barazim e 4 humbje). Kosova përfundoi në fund të renditjes me 3 pikë, ndërsa Gjermania është e para me 12 pikë, pasojnë Polonia me 5 dhe Izraeli me 4.

Grupi 1
Gjermania-Kosova    28:17
Polonia-Izraeli    26:23
Tabela
1. Gjermania     6    6    0    0    12    
2. Polonia    6    2    1    3    5    
3. Izraeli    6    2    0    4    4    
4. Kosova    6    1    1    4    3

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat