Llazari: Kombëtarja e Kosovës ka nevojë për më shumë optimizëm

Hendboll

Llazari: Kombëtarja e Kosovës ka nevojë për më shumë optimizëm

Nga: Kemajl Goca Më: 18 qershor 2019 Në ora: 13:57
Llazari: Kombëtarja e Kosovës ka nevojë për më shumë optimizëm

Ish selektori i kombëtares së Kosovës, Alfred Llazari, shprehet se humbja e Kosovës me 28:17 nga Gjermania nuk është rezultat dëshpërues kur dihet se çfarë fuqie kanë gjermanët.

Kosova përfundoi aventurën me humbje në kuadër të grupit 1 në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2020 në hendboll (meshkujt). Megjithatë, ka arritur rezultatet më të mira deri më tash në garat kualifikuese, duke tubuar tri pikë dhe me pak fat sportiv do të ishin kualifikuar më tutje.

“Për mua edhe ky rezultat nuk është dëshpërues por përkundrazi këto dy rezultatet e fundit janë kurajuese që premtojnë e tregojnë shumë. Nëse këtyre djelmoshave e stafit iu përmirësohen kushtet, si dhe takimet e lojërat miqësore më të shpeshta me siguri se edhe rezultatet kanë me ardh, me siguri për lavdërata”, tha Llazari për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Llazari komplimenton edhe punën e selektorit Taip Ramadanit. “Njëherit mund t’i them ju lumtë Taip Ramadanit me staf si dhe punëtorëve të palodhur,  lojtarëve, veç vazhdoni rezultatet po vijnë. Suksese edhe në të ardhmen”, tha më tutje. 
Ish selektori ka një kritikë për klubet që nuk punojnë si duhet dhe kjo po reflekton edhe në kombëtare. 

“Shpresoj se edhe klubet me një punë më profesionale t’i ndihmojnë dhe t’ia lehtësojnë punën stafit për arritjen e prezantimin edhe më të denjë në arenën ndërkombëtare, çka kishte me qenë shumë e rëndësishme, jo që para kohe t’i shpallin të vdekur apo askushi, por përkundrazi edhe ata të japin kontributin e duhur e të kërkuar nga ana e selektorit e stafit në përgjithësi, se bashkësia bën fuqinë. Kombëtarja ka nevojë për më shumë optimizëm se sa për flamurin e bardh, është dëshmuar se flamuri i bardh nuk ka vend në mesin e tyre”, përfundoi Llazari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat